As java e dytë e muajit qershor në Komunën e Podujevës nuk ka kaluar pa incidente. Brenda një jave që tashmë lamë pas ndodhen aksidente dhe u arrestuan disa persona, raporton Llapi.info

Kësisoj, të hënën rreth orës 08:00 të mëngjesit në rrugën “Nuhi Gashi” në Podujevë ështe arrestuar një person i kërkuar. Sipas Policisë, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

Ndërsa, të martën u arrestua edhe një person për organizim të bixhozit të paligjshëm, teksa ditë më parë në këtë Komunë ishin arrestuar edhe tre persona, pasi që të njëjtit nga njësitë Policisë së Kosovës, inspektorët e ATK-së dhe Doganës janë takuar në një lokal të lojërave të fatit.

“Podujevë 07.06.2019-17:30. Në lidhje me rastin është raportuar se me 11.06.2019 është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.

Të enjten Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Podujevë si pasojë e një mosmarrëveshje pronësore, dy të dyshuar, kanë sulmuar fizikisht një femër dhe tre të mitur (fëmijët e tyre).

Sipas PK-së, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa ty të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Podujevë 13.06.2019 – 00:15. Raportohet se pas një mosmarrëveshje pronësore dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë kanë sulmuar fizikisht një femër dhe tre meshkuj K-Shqiptarë të mitur (fëmijë të tyre). Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thotë PK.

Të premten në fshatin Peran dy persona mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy veturave. Rastin për Llapi.info e pati konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Në këtë aksident lëndime trupore kanë pësuar dy persona, të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor”, pati shtuar Ahmeti.

Kurse, një mjet i dyshuar shpërthyes është gjetur nga një qytetar, i cili kishte hasur në të derisa ishte duke punuar.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit, derisa njësiti përkatës policor ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, kurse njësiti për deminim i FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të sigurt.

Në anën tjetër, dy aksidente ndodhen gjatë ditës së shtune. Njëri në rrugën “Zahir Pajaziti”, e tjetri në rrugën “Skënderbeu”, e ky i fundit rezultoi me një të lënduar./Llapi.info