Me incidente të shumta është karakterizuar java që lamë pas në Komunën e Podujevës. Përgjatë një jave, ndodhën aksidente, rrahje dhe u arrestuan disa persona, raporton Llapi.info.
Kësisoj, të hënën Policia e Kosovës ka njoftuar se në këtë qytet ka ndodhur një rrahje. Sipas Policisë së Kosovës, në këtë përleshje kanë qenë të përshirë dy persona, ku për pasojë njëri ka pësuar lëndime trupore. Ndërsa, “i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thotë PK. Pa dhënë detaje tjera, Policia rastin e ka cilësuar si “lëndim i rëndë trupor”.
Të enjten shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti.
“I dyshuari mashkull K/shqiptar duke ngasur automjetin është aksidentuar. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar shtatë persona të cilët ishin në veturë. Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Dy persona janë arrestuar në orët e vona të së mërkurës në Komunën e Podujevës.
Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, arrestimi i tyre është bërë pasi që të njëjtit për motive ende të panjohura janë kanosur mes vete.
“Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thotë Policia e Kosovës.
Të mërkurën mbrëma, në këtë Komuna një burrë është arrestuar, pasi që i njëjti pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuar është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, të premten një person në fshatin Brecë të Podujevës, siç mëson portali, është rrëzuar nga pema ku më pas edhe ka ndërruar jetë. Ndërkaq njoftohet se nga familjarët është dërguar në QKMF në Podujevë dhe me autoambulancë është dërguar në QKUK, por nga mjekët është konstatuar se viktima kishte arritur pa shenja jete. Pa dhënë detaje tjera, Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si “vdekje e dyshimtë”.
Në orët e vona të natës (e premte), një veturë në një parking në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30, teksa sipas Policisë së Kosovës, vetura që është përfshirë nga zjarri për shkaqe ende të panjohura, ka qenë me targa vendore. Njësitë policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa zjarrfikësit kanë shuar zjarrin.
Në lidhje me këtë rast, të nesërmen PK-ja ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar, i cili më pas është dërguar në mbajtje.
E mëngjesin e kësaj dite, një person është arrestuar në fshatin Peran të Podujevës, pasi që i njëjti kishte kanosur zyrtarët policorë të cilët ishin në realizmin e kërkesës së gjykatës. Me vendim të prokurorit, është iniciuar rasti dhe shkon në procedurë të rregullt, ndërsa në bazë të urdhëresës së gjykatës i kërkuar është dërguar në mbajtje.
Mesditën e së shtunës, në fshatin Halabak të Podujevës, është bastisur një shtëpi, raporton Policia e Kosovës, transmeton Llapi.info. Me këtë rast, siç njofton PK-ja është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie pa leje me 13 fishekë të kalibrit 12 mm. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Dje rreth orës 19:00, në Komunën e Podujevës është raportuar për një rast të dhunës në familje. Policia thotë se i dyshuari mashkull, me të meta psikike, ka sulmuar 2 viktima, duke mos specifikuar raportin familjar mes tyre.
“I dyshuari është intervistuar në prezencën e punëtorit për punë sociale, pasi që ka të meta psikike. Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar mjetet me të cilat janë sulmuar viktimat”, thotë Policia.
Po ashtu, PK njofton se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Gjatë ditës së djeshme, një veturë është sekuestruar e padoganuar. “Është njoftuar njësiti i hetimeve DRV Lluzhan. Vetura është sekuestruar. I dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës.
Policia s’e ka dërguar nëpër raporte vetë-aksidentin në fshatin Batllavë, ku një person u lëndua pasi kishte dalë jashtë rrugës me veturë./Llapi.info