Përkundër faktit se Policia ka shqiptuar më shumë se 180 mijë tiketa trafiku, numri i aksidenteve që përfundojnë me fatalitet dhe me persona të lënduar vazhdon të jetë i lartë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë humbur jetën 51 persona nëpër aksidente të ndryshme në komunikacion, raporton Gazeta Express. Për këtë periudhë kohore në total ndodhën 7003 aksidente.
Janë gjithsej 5630 persona që pranuan ndihmë mjekësore nga lëndimet e ndryshme që pësuan në aksidente. Këta presona u lënduan nga 2841 aksidente me persona të lënduar sa ndodhën këtë gjashtëmujor. Ndërsa, 4122 aksidente përfunduan vetëm me dëme materiale, thuhet në raportin e policisë për Express.
Sipas policisë në vitin e kaluar nga aksidentet me fatalitet kanë humbur jetën 54 persona apo tre më shumë se këtë vit. Po ashtu janë edhe 115 persona më shumë sesa këtë vit të cilët kanë pësuar lëndime trupore.
Sidoqoftë, Policia e Kosovës vazhdimisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugor në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.