Përfundimi i muajit korrik dhe fillimi i muajit gusht në Podujevë është karakterizuar me incidente të shumta. Brenda një jave që tashmë lamë pas kanë ndodhur aksidente, rrahje, vjedhje dhe janë arrestuar disa persona, raporton Llapi.info.
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, një aksident trafiku ndodhi në kilometrin e parë Merdare – Podujevë, ku për pasojë një person (39-vjeç) mbeti i vdekur, ndërsa tetë të tjerë të lënduar. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, njëra me targa vendore dhe një me ato gjermane. I dyshuari nga ky aksident u arrestua nga Policia.
“Bëhet fjalë për B.S. 39 vjeç, mashkull, shtetas kosovar (vozitësi i Audi), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje, ndërsa personat e tjerë të lënduar, janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka bërë të ditur Policia.
Të hënën rreth orës 22:00 në qendër të Podujevës, pas një mosmarrëveshje mes dy personave, njëri ka shtënë me armë në ajër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore ku kanë gjetur dhe kanë konfiskuar dy gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit, aty kanë hasur njërin nga të dyshuarit.
“I dyshuari i cili ka shtënë me armë zjarri gjendet në arrati, ku të njëjtit i është konfiskuar vetura. Pas intervistimit dy persona me vendim të prokurorit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë”, pati njoftuar Policia.
Ndërsa, të nesërmen u arrestua edhe personi kryesor që shtiu me armë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Një person i kërkuar u arrestua po ashtu ditën e hënë. Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese.
Njësitë policore kufitare kanë arritur ta ndalojnë një kamion të ngarkuar me dru në Podujevë. Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, derisa sasia është konfiskuar. Policia rastin e ka cilësuar si “vjedhje pylli”.
Kurse, të martën (30 korrik) dy persona janë arrestuar. Pa dhënë detaje tjera, PK tha se njëri person është arrestuar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë në familje.
“Është arrestuar një i dyshuar mashkull K/shqiptar, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimave. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thotë PK, duke mos treguar se kush është sulmuar.
Në të njëjtën ditë, rreth orës 15:00 në këtë komunë, një person i kërkuar është arrestuar nga Policia. Arrestimi i të dyshuarit është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.
Një person u arrestua të enjten e dy gushtit, pasi që i njëjti dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe kishte kanosur dy viktimat. Sipas ankuesit i cili e ka raportuar rastin, i dyshuari ka probleme psikike. I dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, njofton Policia.
Ndërsa, të premten një mjet i dyshuar shpërthyes është gjetur nga tre persona afër një lokali (kafiteri) në Podujevë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore, ku edhe është bërë e ditur se mjeti ka qenë granatë dore.
“Mjeti i dyshuar ka qenë një granatë dore e cila është tërheqë nga veni i ngjarjes pa ndonjë incident, kurse pas veprimeve të ndërmarra është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe mbetet të hetohet”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia në Podujevë kanë arrestuar dy persona të premten mbrëma, pasi që pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi kishin sulmuar viktimën mashkull. Viktima është dërguar në QKUK-së për trajtim mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Pa dhënë detaje tjera, Policia e Kosovës thotë se rasti është duke u hetuar.
Ndërkaq, të shtunën në mbrëmje është arrestuar një burrë në Podujevë nën dyshimin se ka organizuar lojëra të fatit. Njësitë policore në lokalin e të dyshuarit, si prova materiale kanë konfiskuar dy shtëpiza kompjuteri, 289 euro para të gatshme dhe 11 tiketa të lojërave të fatit. “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thotë PK. Rastin Policia e ka cilësuar si “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Në të njëjtën ditë, rreth orës 20:00 në rrugën “Hyzri Talla” Policia ka bërë të ditur se një objekt (çerdhe), është përfshirë nga flakët.
“Rr. Hyzri Talla, Podujevë 03.08.2019-19:27. Është raportuar se në një objekt ka shpërthyer zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është dëmtuar pullazi i objektit. Të lënduar në këtë rast nuk ka pasur. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar PK.
Të dielën një vjedhje e rëndë ka ndodhur në këtë Komunë. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë kontrollimit të veturës te tre persona të dyshuar janë gjetur disa mjete pune të vjedhura, teksa Policia s’ka treguar se për çfarë mjetesh bëhet fjalë.
Gjatë intervistimit, njëri nga tre të dyshuarit e ka pranuar se mjetet janë vjedhur.
“Me vendim të prokurorit dy të dyshuar dërgohen në mbajtje ndërsa njëri nga të dyshuarit lirohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar sot Policia e Kosovës në raportin e saj ditor./Llapi.info