Zvarritja e përfundimit të punimeve në magjistralen Prishtinë – Podujevë është duke vazhduar, derisa në disa pjesë janë lënë në gjysmë, shkruan Llapi.info.
Kjo rrugë e cila lidhet edhe me pikën kufitare në Merdare, është njëra ndër më të frekuentuara në Kosovë, kjo ka bërë që të mos mungojnë edhe aksidentet e shumta.
Rreziku për aksidente u shtua edhe më shumë nga punimet në segmentet e kësaj rruge. Gjithë kjo, nga bllokadat dhe barrierat e vendosura për zgjerimin e magjistrales, por edhe mungesa e shenjave të komunikacionit. Kjo e fundit ka bërë që në shumë raste qytetarë me automjete të hynë në anën e kundër të kësaj rruge nacionale.
Llapi.info pati raportuar në lidhje me këtë rrezik, ku në pamjet e siguruara shihet se si një veturë vozit me një shpejtësi të madhe në anën e kundërt, por fatmirësisht nuk ndodhi ndonjë aksident.
Por kështu s’ndodhi gjatë ditës së djeshme. Një veturë kishte hyrë në anën e kundërt si pasojë e mos vendosjes së shenjave, derisa ndodhi edhe një aksident. Në pamjet e siguruara shihet ndeshja kokë më kokë e dy veturave, teksa pati dëme materiale pa lëndime në njerëz. Sipas banorëve, shenjat paralajmëruese për ndarjen e shiritave mungojnë.
Mungesa e tyre vazhdon ta rrit rrezikun për aksidente në këtë pjesë, teksa veprimet e vozitësve edhe mund të arsyetohen. Vozitje në anën e kundërt ka pasur edhe gjatë ditës së sotme. MI s’i ka vendosur shenjat rregulluese të komunikacionit.
Se cilat kanë qenë arsyet e ngecjeve të punimeve dhe kur priten të vendosen shenjat e komunikacionit, Llapi.info ka pritur tërë ditën përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, por deri në momentin e publikimit të lajmit s’janë dhënë detaje.
E për këtë çështje as Komuna e Podujevës s’ka reaguar. Llapi.info muaj më parë ka kërkuar se a është dorëzuar projekti i kësaj rruge, ashtu siç ishte vendosur në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvendin Komunal, rrjedhimisht zyrtarë të informimit s’i kanë kthyer përgjigjet.
Në anën tjetër Komuna e Ministria fajësojnë njëra-tjetrën. Por, ministri Pal Lekaj për media ka thënë se projekti për zgjerimin e kësaj rruge ka qenë i pa implementueshëm në terren për arsye se ka probleme me shpronësim, e jo për çështje politike.
Po bëhen katër vite, ndërsa përfundimi i punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë nuk është kurrkund. Ritmi i ngadaltë i punimeve siç duket do t’i përcjellë qytetarët edhe kësaj vere.
Që prejse ka nisur zgjerimi i kësaj rruge, akuza të shumta janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, e kjo e fundit ka akuzuar edhe Komunën e Podujevës.
Se që këto punime janë zhvilluar me ritme të ngadalta, e ka thënë për Llapi.info kohë më parë edhe Rexhep Kadriu, zëvendësministri i Infrastrukturës.
Për zvarritjen e punimeve edhe është protestuar, teksa janë paralajmëruar protesta tjera nga grupet parlamentare në asamblenë komunale të Podujevës./Llapi.info