Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.

Në njoftimin e Zyrës së kryeministrit thuhet se së bashku me Kurtin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

“Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.