Një operacion policor i zhvilluar të enjten në fshatin Dumnicë e Poshtme në Podujevë ka rezultuar me sekuestrimin e disa armëve dhe municionit, si dhe arrestimin e një personi. I dyshuari tashmë ndodhet në ndalim policor.

Sipas burimeve të Sinjalit, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Podujevë ka zhvilluar veprime hetimore dhe ka realizuar një urdhëresë për bastisje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega Podujevë.

Si rezultat, është kontrolluar prona e të dyshuarit, me ç’rast policia ka gjetur dhe sekuestruar: dy armë me karikatorë dhe rreth 60 fishekë, si dhe një thikë.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe është iniciuar rasti për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.