Policia e Kosovës ka njoftuar për incidentet që shoqëruan javën e fundit në Komunën e Podujevës. Brenda shtatë ditësh janë arrestuar disa persona për vepra të ndryshme penale në këtë anë, raporton Llapi.info.
Aksione të Policisë pati edhe kundër organizimeve të skemave piramidale dhe bixhozit, me ç’rast edhe janë arrestuar tre të dyshuar. Fillimisht dy prej tyre u arrestuan ditën e martë, pasi që të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme kanë ushtruar veprimtarinë bastore sportive.
Policia në lokalin e tyre ka konfiskuar dëshmi materiale disa shtëpiza kompjuteri, printerë, tiketa të shtypura si dhe gjëra të tjera. Sipas PK-së, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, të nesërmen u arrestuar edhe një tjetër i dyshuar, pasi i njëjti ka organizuar bastore sportive në lokalin e tij. Policia ka thënë se si prova materiale janë konfiskuar një shtëpizë kompjuterike, një printer, disa tiketa të shtypura dhe 60 euro para të gatshme. Me vendim të prokurorit, i dyshuar është dërguar në mbajtje.
Një person tjetër u arrestua në këtë komunë për ushtrim dhune në familje. Sipas PK-së, burri nga Podujeva ka ushtruar dhunë ndaj viktimës mashkull dhe disa personave të tjerë. Gjatë kontrollit të dyshuarit iu është gjetur 1.3 gramë substancë narkotike.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës mashkull K/Shqiptar dhe disa personave të tjerë. Gjatë kontrollit tek i dyshuari janë gjetur dhe janë konfiskuar 1.3 gramë substancë e dyshuar narkotike. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorin është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftim të policisë.
Një rrahje mes dy personave ndodhi të martën mbrëma në fshatin Llapashticë të Podujevës. Rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, derisa është bërë e ditur se një i dyshuar është arrestuar, pasi që i njëjti ka goditur me mjet të fortë (shkop druri) viktimën.
Sipas PK-së, viktima ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor në QKMF-në e Podujevës. “Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thotë Policia.
Një zjarr i cili është ndezur nga një i dyshuar gjatë ditës së së mërkurë në Podujevë, i ka shkaktuar dëme një personi. Sipas njoftimit të policisë, viktima e këtij rasti ka raportuar se një person i dyshuar kishte ndezur një zjarr dhe si pasojë e zjarrit i janë djegur disa trupa drunj dhe sistemi i ujitjes.
“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka informuar se i dyshuari mashkull K-Shqiptar kishte ndezur një zjarr dhe si pasojë e zjarrit i janë djegur disa trupa drunj dhe sistemi i ujitjes. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thotë Policia.
Ndërkaq në dy ditë të ndryshme, dy persona janë arrestuar si të kërkuar nga Policia e Kosovës. Policia ka thënë se arrestimi i tyre është bërë në bazë të urdhëresës nga gjykata, derisa të njëjtit janë dërguar në mbajtje./Llapi.info