Njësiti antidrogë gjatë ditës së djeshme në fshatin Lluzhan të Podujevës ka konfiskuar rreth 82 kilogramë substancë narkotike, raporton Llapi.info
Në një konferencë për medie, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga ky aksion janë arrestuar tre persona. Sipas PK-së, përveç substancave narkotike, janë sekuestruar tri vetura dhe 5 telefona celularë.
“Rasti i fundit ishte me 30 qershor rreth orës 18:40, në magjistralen Prishtinë – Podujevë, konkretisht në Lluzhan. Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me narkotikë e ka realizuar operacionin policor, me ç’ rast ka ndalur tri vetura të dyshuara nën dyshimin e bazuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shtije të paautorizuar të narkotikëve. Gjatë kontrollit në njërën nga veturat në bagazh janë gjetur tetë paketime me marihuanë me peshë të përgjithshme 81 kilogramë e gjysmë, ndërsa në vazhdim të operacionit me urdhër të prokurorit janë kontrolluar edhe tri shtëpi, njëra në Bajçinë të Podujevës dhe dy tjera në Viti, por s’është gjetur asgjë. Lidhur me këtë janë arrestuar tre persona dhe janë konfiskuar rreth 81 kilogramë marihuanë që vlera e përafërt sillet rreth 100 mijë euro. Po ashtu, janë sekuestruar tri vetura dhe 5 telefona celularë”, ka thënë Drejtoresha e Divizionit kundër Krimit të Organizuar, Florie Hajra.
Ndërkohë, Llapi.info pati raportuar pak kohë më parë në lidhje me këtë aksion. /Llapi.info