Lëvizja Mjedisore “Let’s do it Kosova” me fushatën “Ta pastrojmë Kosovën” në bashkëpunim me kompaninë “Pastrimi” sot kanë pastruar dy deponi ilegale të mbeturinave në komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Deponia e parë nga e cila u larguan mbeturinat ishte pjesa prapa Shtëpisë së Shëndetit afër hekurudhës, ku kishe mbeturina të shumta.
Në këtë aksion ishte e pranishme edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshes së Drejtorisë për Inspeksion në Komunën e Podujevës, Florie Abazi Besholli e cila për Llapi.info tha se ka projekte për atë hapsirë e cila u pastrua sot.
“Kemi projekte për këtë hapsirën këtu, kemi menduar që kjo pjesa këtu me u ba parking i kerreve, p.sh taksit e qito me u parku në këtë pjesën këtu”.
Ndërsa, sipas Koordinatorit të Lëvizjes “Let’s do it Kosova”, Luan Hasanaj tha se aksione të tilla do të kenë edhe në vazhdim, ai përpos qytetarëve për të cilët thotë se duhet të vetëdijesohen më shumë për mbrojtjen e ambientit, ai fajtor i sheh edhe institucionet për të cilat thotë se duhet të jenë më të përgjegjshme karshi problemit të mjedisit.
“Më së shumti kemi problem me deponi ilegale si kjo këtu por shpresojmë që do të jetë rasti i fundit që të reagojnë institucionet, që të reagojnë edhe qytetarët dhe bashkarisht ta pastrojmë këtë vend tonin sepse nëse ne nuk e pastrojmë nuk do ta pastrojë askush dhe pasi ta pastrojmë edhe ta ruajmë të pastër” – tha ndër të tjera Hasanaj për Llapi.info.
Përpos kësaj deponie sot me këtë aksion u pastrua edhe deponia në dalje të qytetit të Podujevës rrugës për fshatin Dumnicë.
Aksione të tilla të përbashkëta do të ketë edhe në ditët në vijimë deri më 24 maj kur edhe është aksioni më i madh “Ta pastrojmë Kosovën”./Llapi.info