Në tri faqe aktakuzë Prokuroria e Shtetit ka përshkruar situatën ku banorët serb të Dushit të Klinës ishin përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tyre shqiptarëve gjatë qershorit 98. Në fshatin e banuar me serbë dhe shqiptarë mbetën të djegur tre pleq dhe u vranë dy gra dhe dy burra.

Milorad Zaiç, akuzohet se u përfshi në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për ushtrinë e duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Serbi që në atëkohë ishte 51 vjeç sipas aktakuzë jetonte në fshat së bashku me fqinjët shqiptarë por situata kishte ndryshuar pas nisjes së luftës, raporton kallxo.com.

Me 19 qershor prokuroria pretendon se Zaiç nisi betejën e tij kundër fqinjëve shqiptarë.

Atë ditë sipas aktakuzës i pandehuri ishte parë nga fqinjët tek shkarkonte nga makina e tij Zastava armë ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Shtëpia më pas ishte shndërruar në një bazë për forcat e ushtrisë dhe policisë nga ku nisi granatimi dhe koordinimi i sulmit ndaj fshatit Dush.

Nga këto sulme sipas aktakuzës mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmallaku.

Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë gruaja dhe vajza e të dëmtuarit Xheme Marmallaku dhe Ismet dhe Bashkim Marmollaku.

Aktakuza ndaj Milorad Zaiç është ngritur së fundmi nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Gjykimi ndaj tij pritet të nisë së shpejti në gjykatën e Pejës