Screenshot

Fiks një muaj e tri javë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, LDK-ja është trazuar nga një përçarje e re e brendshme.

Janë publikuar mesazhe me akuza të rënda për manipulim votash.

Dyshimet janë se votat me postë nga jashtë vendit janë manipuluar për favorizim të njerëzve të besuar të kryetarit Lumir Abdixhikut.

Protagonistë të bisedës goxha të ashpër në grupin e “Viberit” kanë qenë Arben Gashi, Kujtim Shala, Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj. Në këtë grup ndodhej edhe shefi i partisë.

Më i zëshmi, ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka këmbëngulur se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij, u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihej emri “skemë kriminale”.

Dyshime kanë hedhur edhe Hoti e Zemaj.

“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala.

“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi.

“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.

Me “Ok.”e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.

Mirëpo kryetari i LDK-së, Abdixhiku nuk është marrë me temën e diskutuar në grupin e “Viberit”, por për sulmet e sinkronizuara ndaj LDK-së. Për këtë nuk ka përmendur raste dhe emra.

Për këto sulme të orkestruara, sipas Abdixhikut, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të LDK-së. E për temat e brendshme, ai ka thënë se tashmë janë diskutuar në kryesi.

Në postimin e gjatë, Abdixhiku ka insistuar se nuk ka kthim prapa në pragun e shuarjes.

“Rrini të qetë! LDK është e fortë, unike e përtrirë! Kurrë më bashkë se sa sot! Zërat e shterur nuk e lëkundin më! Kthim prapa nuk ka më! Nuk ka kthim në pragun e shuarjes! Po rritemi, më shumë e më shpejtë se secili”, ka thënë Abdixhiku.

Pakënaqësia e Hotit

Biseda në “Viber” është pjesë e krizës së brendshme që nisi të dilte në sipërfaqe më herët.

Deputeti Avdullah Hoti dy javë më parë me një postim tronditi publikun kur bëri thirrje për lidership të ri në LDK.

Hoti akuzoi për vjedhje votash brenda partisë, personalizim të fushatës, përbërjen e listës, renditje të kandidatëve dhe favorizim medial për disa prej tyre.

“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi”, tha Hoti.

Ish-deputeti, i cili u rendit i 13-ti në listën e kandidatëve të LDK-së dhe arriti të ngjitet i pesti më i votuar në zgjedhje, përmendi edhe injorimin nga lidershipi i ri të trashgimisë së LDK-së.

“Në vend të ndërtimit mbi ato arritje të LDK-së, lidershipi aktual ka krijuar distancë ndaj njerëzve dhe arritjeve të Kosovës gjatë qeverive të udhëhequra nga LDK-ja”, tha Hoti.

VV-ja “fut hundët”

Në çështjet e brendshme të LDK-së nuk e ka lënë pa u përfshirë Lëvizja Vetëvendosje me Dimal Bashën. Ai ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së, ndërkaq, ndaj tij ka reaguar deputeti i ri i LDK-së, Paris Guri.

Pasi Basha e shfrytëzoi përplasjen e brendshme partiake në LDK për të goditur liderin e saj Lumir Abdixhikun, Guri i ka rikujtuar atij rezultatin e zgjedhjeve në Ferizaj.

“Lumiri po thotë, po na sulmojnë se jemi në vendin e tretë!”, shkroi Basha të hënën. “Për vota e dimë qe je n’fund sepse s’kemi pritë ndryshe, mirëpo e kemi për hajni, qaty n’vend të parë ke dal!”.

“Jep dorëheqje se marre, e ke bë LDK-në beter PDK-së!”, shkroi Basha.

Ndaj deklaratave të tij, reagoi të martën Paris Guri, deputeti i ri i LDK-së, njeri i afërt me liderin Abdixhiku.

“Njona prej shumë arsyeve që e du e besoj fuqishëm në LDK, është edhe Dimal Basha. Psh: në LDK nuk ka Dimala, elektorati i LDK-së as asambleist nuk e bon Dimalin e Dimalat. Merreni me mend edhe Dimalit i paska dal rend me tregu cka me bo LDK-ja”, tha Guri.

“Dimal para se me u marre me LDK-në, merru me veten që ke dalë i teti i votum në qytetin tand. Dimal locka jem, merru me projektet me i leshu nanat ne livadh sje ti per keto tema”, shkroi ai të martën.

Përçarjet e LDK-së

Një prej përçarjeve më të mëdha të LDK-së ndodhi në vitin 2007 pas asaj që njihet si “Kuvendi i Karrigeve”.

Nexhat Daci atëbotë u largua nga LDK-ja për ta nisur partinë e re LDD-në që në zgjedhjet e vitit 2007 mori 10 për qind. Kjo ishte ngritja dhe rënia e madhe e kësaj partie, e cila në zgjedhjet e ardhshme nuk e kaloi pragun dhe shumë anëtarë u bën pishman, duke u kthyer përsëri në LDK.

Një tjetër përçarje është edhe ajo e vitit 2020 kur Vjosa Osmani u largua nga LDK-ja.

Ajo u largua nga partia pas përplasjeve të vazhdueshme me udhëheqjen e LDK-së. Ajo formoi nismën e saj politike, e cila më vonë mori formën me listën “Guxo” që u bashkua me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.