Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, besohet se ka ndërruar grup parlamentar dhe nga Grupi Parlamentar i AAK’së, ka kaluar në Grupin Parlamentar të VV’së.
Burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se Reshitaj do të qëndrojë në sallë kur të votohet për presidentin.
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se deputetë të kësaj partie s’do të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Ne jemi kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit”, thotë Haradinaj.
“Andaj, deputetët e Aleancës, nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit për votimin e Presidentit”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës Reshitaj tha se duhet të ketë stabilitet institucional në vend.
“Vetëm një stabilitet politik e institucional garanton një shëndetësi efikase, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, prespektivë e mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit”, kishte thënë ajo.