Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë, në 13-vjetorin e vrasjes së tij, njofton Llapi.info.

Në homazhe morën pjesë familjarë të Monit, aktivistë të LVV-së dhe qytetarë të tjerë.

Vëllai i Monit, Fahri Balaj, duke përkujtuar aktivistët e ndjerë, ka thënë se bërja e shtetit do sakrificë.

“13 vjet më parë ndiheshim edhe moralisht edhe shpirtërisht të thyer. Mirëpo, me ndihmën e pashoq dhe mbështetjen që na e dhanë pa ndërprerë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ia arritëm ta marrim vetën dhe të themi që bërja e shtetit në rrugëtimin drejt tij do sakrificë. Jo rrallëherë si familje nëpër epoka të ndryshme ishim rreshtuar krah lëvizjeve e individëve që kishin të vetmin ideal, që shteti ynë të jetë i mirë për të gjithë”, ka thënë Fahri Balaj.

Tutje Balaj ka thënë ëndrrat e dëshmorëve, Monit e Arbenit pas 20 vitesh do të bëhen realitet.

“Sot në veçanti jemi të nderuar dhe ndihemi krenar që prezent kemi Urtin, të birin e Arben Xheladinit. Duam t’i themi Urtit dhe urtave të tjerë që nuk janë të paktë në numër që na i lanë dëshmorët sot duhet të ndiheni krenarë, mbase besojmë që ëndrrat e dëshmorëve dhe së bashku me ato ëndrra edhe ëndrrat e Monit e Arbenit dhe vullneti i shumë familjeve të nëpërkëmbura tash e 20 vjet do të bëhen realitet”, ka thënë ai.

Ndryshe, dy aktivistët e VV-së, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, janë vrarë gjatë protestës më 10 shkurt të vitit 2007./Llapi.info