Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka qenë i pranishëm sot në Podujevë, në një takim me studentë dhe të rinjtë e kësaj komune, të organizuar nga LVV-ja, njofton Llapi.info.

Duke bërë thirrje që të votohet kandidati i partisë së tij, Kurti ka thënë se Llapit i duhet ndryshimi, i cili sipas tij, është i domosdoshëm.

“Më 15 mars, të dielën, mund të themi se erdhi dita edhe në Llap. Erdhi dita në Besianë, erdhi dita në Podujevë, sepse po e bëjmë kryetar profesor Shpejtim Bulliqin. Duhet të mësohemi të zëmë peshk, e jo vetëm të presim të na e ofrojë dikush njëherë. Dikur ka pasur peshk në lumin Llap, se ka qenë lumë i pastër. Por, tash e dini që edhe bagëtia s’e pinë atë ujë më, për shkak të ndotjes, për shkak se mungon mirëmbajtja, për shkak se s’ka zhvillim, ruajtje e kujdes as për ekonominë dhe as për ambientin. Prandaj, ndryshimi në Llap është i domosdoshëm, e ky ndryshim e ka emrin Shpejtim Bulliqi”, është shprehur ai.

Kurti ka theksuar se Shpejtim Bulliqi nuk është njeri i kompromiseve, por se interesi i qytetarëve është më me prioritet.

“Bulliqi nuk bën kompromis me integritetin e tij personal, ashtu qysh s’ka bërë me integritetin territorial të Kosovës. Ashtu qysh Shpejtim Bulliqi s’e jep tokën e Kosovës, ky s’e jep as zhvillimin e juaj, as paranë e as të ardhmen e juve, sepse e ka interesin e përgjithshëm mbi çfarëdo interesi tjetër. Për interes të juaj ai do të bëhet kryetar i Komunës së Besianës. Me 15 mars e keni fort kollaj, në fletëvotim janë vetëm tre veta, tre numra – i treti i vërteti Shpejtim Bulliqi”, ka thënë Kurti.

“Një shtëpi pa bibliotekë, është si trupi pa shpirt, e një Komunë pa bibliotekë është si hapësira pa dritë. Prandaj nevojitet ndryshimi nga hapësira pa dritë, nga terri në dritë, prandaj ne themi erdhi dita. Erdhi dita sepse kur vjen dita, vjen edhe drita. Vjen edhe biblioteka, gjelbërimi e trotuari për këmbësorët, vjen parkingu për automjete, vjen edhe shkolla me mësues të dinjitetshëm, vjen edhe lidhja ekonomisë me arsimin, lidhja ekonomisë me prodhimin edhe lidhja e prodhimit me punësimin. Këto janë hallkat e zinxhirit të zhvillimit, për të cilët fillon e mbara me 15 mars, të dielën atëherë kur masovisht ju do t’iu drejtoheni kutive të votimit dhe do të rrumbullakosni numrin 12”, ka thënë ai.

Duke përmendur rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, kryeministri ka thënë se edhe Podujeva duhet t’i bashkohet 6 tetorit dhe 3 shkurtit.

“Unë e di pse Llapi do ta votojë Shpejtimin, sepse Llapi s’e ka në qejf as ngadalësimin e as rikfercin. Pra, as ngadalësim e as rikferc, por shpejtim. Kemi humbur shumë kohë me ngadalësime e rikferce, prandaj duhet të shpejtojmë. Me 6 tetor Kosova ka vendosur për ndryshim të madh politik. Me 3 shkurt ky ndryshim politik është bërë qeveri. Me 15 mars, duhet të vendosni për ndyshim të madh politik në Llap. 15 marsi t’i bashkohet 6 tetorit dhe 3 shkurtit, e jo atyre datave të hapësirave pa dritë. Vendosni vetë ta votoni Vetëvendosjen dhe profesor Shpejtim Bulliqin”, ka thënë Kurti./Llapi.info