Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë sot në Komunën e Podujevës, ku ka vizituar fabrika dhe biznese llapjanë, shkruan Llapi.info.
Këto vizita, Kurti i ka bërë nën shoqërimin e kryetarit të Podujevës, njëherësh edhe kandidat për kryetar nga VV, Shpejtim Bulliqi.
“Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte për vizitë te i pari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi. Gjatë kësaj vizite kryeminstri Kurti së bashku me kryetarin Shpejtim Bulliqi, pas një parakalimi në sheshin e qytetit, bënë një vizitë tek bizneset dhe fabrikat e Podujevës. Së pari vizituan fabrikën e përpunimit të perimeve (piperit) Ananas Impex, e cila është një nga fabrikat më të mëdha në Podujevë. Pastaj, ata vizituan edhe njërën nga fabrikat më të mëdha të tekstilit në Kosovë, S/Sprint, e cila eksporton tekstilin edhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e VV-së.
“Tutje, kryeminstri Albin Kurti dhe kryetari Bulliqi zhvilluan një takim me sportistët e Podujevës në parkun e Manchesterit, duke u zotuar për përkrahje maksimale në mandatin e radhës. Takimi u përmbyll me gratë dhe vajzat kandidate për asamble, ku kryeministri Kurti shprehu gatishmëri dhe përkrahje për fitoren e radhës të 17 tetorit”, thuhet tutje./Llapi.info






