Ylli i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani është në sy të Rui Costa-s për të përforcuar skuadrën e drejtuar nga Roger Schmidt, në merkaton e verës.
Ndërsa presidenti i Benfica-s i jep përparësi Kenen Yildiz-it nga Juventusi, ai nuk humbi kohë duke shtuar një tjetër alternativë në listë.
Personi që jep informacionin është ish-reprezentuesi rumun, Daniel Chririta, i cili ka ndjekur përplasjen mes Rapid-it dhe Steuau-s së Bukureshtit, kur zbuloi objektivin e ri të mundshëm të Benfica-s për afatin kalimtar të verës.
I cituar nga gazeta sportive portugeze “Record”, ish-lojtari tregon se ka disa klube të interesuara për nënshkrimin e sulmuesit, ku një prej tyre është edhe klubi i Rui Costa-s. Ylli doli në pah në derbin e sipërpërmendur, madje duke shënuar dy herë.
Vlen të theksohet se, këtë sezon, sulmuesi ka spikatur, duke tërhequr vëmendjen evropiane. Më herët është raportuar se edhe Aston Villa e Unai Emery është pas tij.
Këtë sezon, Rrahmani, i vlerësuar me 1.4 milionë euro nga “Transfermarkt”, ka luajtur 15 ndeshje deri më tani në ligën kryesore, duke shënuar 13 gola dhe duke dhënë tre asistime.
Është e rëndësishme të theksohet se ylli shkoi te Rapid-i në vitin 2023 në këmbim të 600 mijë eurove. Para kësaj ai ishte me Ballkanin, ku sezonin e kaluar luajti në 45 ndeshje, duke shënuar 28 gola dhe katër asistime.