Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani ka shkuar për vizitë tek zyra e kryeministrit, Albin Kurti. Me vete ka marrë edhe dy fanella të cilat ia dhuroi kryeministrit.
Bashkë me të në vizitë ishte edhe babai i tij, Driton Rrahmanin.
I pari i qeverisë pati fjalë të mëdha për sulmuesin kosovar, që po tregon paraqitje fantastike me Rapidin e Bukureshtit.
“Në tubimin e parë të përfaqësueses sonë të futbollit për këtë vit, ekipit iu bashkua edhe njëri prej futbollistëve më në formë aktualisht, Albion Rrahmani. Albioni gjatë vitit të kaluar u transferua nga Ballkani i Suharekës në Rapid të Bukureshtit. Shumë shpejt u bë sulmuesi i preferuar jo vetëm i tifozëve të Rapidit, por edhe i gjithë Superligës rumune. Sot u takuam me të dhe babin e tij, Driton Rrahmani, njëherësh ikonën e futbollit të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, i cili me shumë pasion po vazhdon ta mbështesë të birin në karrierën e tij në futboll. Me talentin e trashëguar nga familja dhe me punën e tij të pandalshme, Albioni në Superligën rumune sivjet ka shënuar 14 gola në vetëm 16 ndeshje të zhvilluara, duke ecur me hapa të sigurtë për t’u bërë golashënuesi më i mirë i kampionatit. Albionit i urova shumë suksese tutje, në veçanti në ndeshjet që do t’i zhvillojë me fanellën e Kosovës”, shkroi Kurti në Instagram.