Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim me qytetarët në Podujevë. Ky takim i paraprinë serisë së tubimeve nëpër komuna me moton “Kundër PANhajnisë, njofton Llapi.info
Sipas Vetëvendosje këto takime po bëhen për të kërkuar zgjedhje të reja dhe që koalicioni qeverisës të bie, e rënien e tyre shteti do të shpëtojë nga nepotizmi.
Në këtë tubim të mbajtur në teatrin e qytetit “Avdush Hasani”, deputetja Albulena Haxhiu, ka shtuar se politika aktuale është shkaku kryesor se pse të rinjtë janë duke e lëshuar vendin.
“Këtu po shihet hapur vullneti juaj kundër PAN hajnisë, si grua e nënë e re nuk mund të mos prekem se sa shumë të rinj po e lëshojnë Kosovën ose kur edhe në takime me ta tregojnë se sa të dëshpëruar janë me Kosovën. Fatkeqësisht këtu kushtet janë bërë të vështira. Të rinjtë dhe të rejat tona, po e lëshojnë Kosovën për një jetë më të dinjitetshme, këtë jetë që ua vodhi PAN hajnia. Mërgimi po mbetet zgjidhje e vetme për papunësinë dhe varfërinë, sepse si qeveritë e kaluara e edhe kjo shikojnë se si dhe ku të vjedhin e jo me punu. Këta njerëz të korruptuar po çohen e po i sulmojnë ambasadorët, madje po kërkojnë me i largu nga Kosova, sepse po ua thonë të vërtetën në sy”, ka thënë Haxhiu, raporton Llapi.info
Sipas saj, bota nuk po e mbanë Kosovën të izoluar siç po thonë pushtetarët, por që sipas Haxhiut, pushteti aktual po ia humbë shpresën qytetarëve.
“Po e shoh këtu edhe kudo ku po shkojmë se kurrë nuk kemi qenë më të gatshëm me e bërë Kosovën horizontin tonë, me ne se Kosova është e ardhmja jonë. Kurrë nuk kemi qenë më të uritur për ndryshime. Ndryshimet i duam aq të mëdha sa ta kthejnë shpresën e rinisë sonë. Duhet t’i ndalim arsyet që e bëjnë rininë ta lëshojnë Kosovën dhe duhet të prodhojmë arsye që ata të cilët që tashmë kanë shkuar të kthehen, dhe ata kthehen vetëm kur në krye të institucioneve është Lëvizja Vetëvendosje dhe vetëm kur kryeministër është Albin Kurti”, është shprehur Haxhiu.
Sipas deputetes së kësaj partie, ka ardhur koha për ndryshime dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Ne duhet të jemi stuhia, shpresa, zhvillimi dhe kënga e madhe e Kosovës. Pushteti i sotëm është bërë si moçal kur rrinë zvarranikë e pushteti i nesërm do të jetë ai si arë ku do të punojmë shumë, bashkë dhe ku shohim shumë larg. Ka ardhur koha e ndryshimit, PAN hajnia duhet dhe do të shkojë. Ndryshimi do vije me ndershmëri, punë, transparencë dhe me dije, dhe ai ndryshim e ka emrin Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu./Llapi.info