Deputeti i Bundestagut, Peter Beyer, ka thënë se ndjehet i turpëruar që Bashkimi Evropian ende nuk i ka hequr vizat për kosovarët. Raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës tha se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe kjo për faj të shteteve anëtare të BE-së.

Peter Beyer, i cili është pjesë e CDU-së gjermane dhe njihet si aleat politik i Kancelares Angela Merkel tha se faji për mos heqjen e vizave për Kosovën bie tek shtetet e veçanta anëtare të BE’së.

“Liberalizimi i vizave është  vonuar. Ndjehem i turpëruar që Bashkimi Evropian nuk ka vepruar në këtë kontekst. Nuk mund të ketë justifikime të mëtejme nga shtetet anëtare të BE-së veç e veç, nëse ne nuk dëshirojmë ta hedhim kredibilitetin tonë plotësisht”, tha Beyer në një intervistë për Gazetën Express.

Megjithatë, raportuesi për Kosovën në KE, u shpreh se ka vullnet të mirë që liberalizimi i vizave për Kosovën të ndodhë.

“Por unë gjithashtu e di se ka shumë vullnet të mirë që më në fund të bëhet e mundur lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës”, u shpreh ai.

Tutje, deputeti gjerman duke komentuar krizën politike në Kosovë tha se liderët politik të Kosovës do të udhëheqen nga arsyeja dhe përgjegjshmëria në situatën në të cilën ndodhet vendi.

Beyer tha se në Kosovë nuk duhet të ndodhin trazira në rrugë e as në parlament si në të kaluarën por kriza politike, kushtetuese dhe ajo e pandemisë duhet të menaxhohet nga ata që janë në pozicionet udhëheqëse të vendit.

“Krizat aktuale politike dhe kushtetuese në Kosovë vijnë në një kohë kur bota është goditur fort nga një pandemi globale, duke rezultuar në vështirësi të mëdha për qytetarët e një vendi të vogël e të varfër por vend krenar. Unë jam akoma i sigurt që aktorët politik do të kuptojnë sinjalet dhe janë të  udhëhequr nga arsyeja dhe përgjegjshmëria. Nuk duhet të ndodhin trazira në rrugë as në parlament siç janë parë në të kaluarën. Njerëzit janë duke vuajtur dhe kanë nevojë për perspektivë që tri krizat të menaxhohen nga ata që janë në pozicionet udhëheqëse të vendit”, tha ai.