Kur temperatura e ajrit është rreth zeros apo minus, pacientët ankohen në shfaqjen e sukrepit nëpër fytyrë, të kruarit, ënjtjes së kapakëve të syve, buzëve dhe shuplakave. Fjala është për alergjinë ndaj të ftohtit

Ky çrregullim do të duhej të hulumtohej hollësisht dhe të përcaktohet, sepse shfaqja e tij mund të jetë simptomë e parë e sëmundjeve hematologjike dhe autoimune, hepatitit dhe infeksioneve të tjera, transmeton Telegrafi.

Shumica e alergjikëve ndaj të ftohtit këtë problem shëndetësor e zgjidhin me qëndrimin në shtëpi kur jashtë është ftohtë, duke besuar që fjala është vetëm për ndjeshmërinë e parëndësishme të lëkurës.

Është shumë me rëndësi që të përcaktohet për cilin lloj të ndjeshmërisë ndaj të ftohtit është fjala. Pos alergjisë, mund të jetë fjala edhe për sindromën e Raynaud, kur lëkura për shkak të acarit mavijoset, si edhe për krioglobulineminë, kur krijohet formë specifike e rrjetës së mavijosur nëpër lëkurë, e ashtuquajtura livedo retikularis.

Që të tri çrregullimet do të duhej të hulumtohen dhe të shërohen, sepse pas tyre mund të fshihen hepatiti B dhe C, problemet me nyjat dhe veshkat, sëmundjet autoimune dhe hematologjike.

Alergjia ndaj të ftohtit bën pjesë në sukrepet fizike, të cilat përbëjnë një të katërtën e të gjitha llojeve të sukrepeve. Nuk është e njohur përse ndodh kështu, mirëpo besohet që mund të jetë edhe gjenetikisht i paracaktuar.

Në diagnostikim më së shpeshti përdoret testi me një kub akulli, të cilin pacienti e vë në pjesën e brendshme të nënllërës dhe e mban afro dhjetë minuta.

Simptomat shfaqen dy deri në pesë minuta pas ekspozimit ndaj të ftohtit apo acarit, mund të zgjasin një deri në dy orë, dhe të shumtën e rasteve kalojnë kur pacienti të ngrohet.

Kur ilaçet nga grupi i antihistaminëve nuk janë të mjaftueshëm, mjekëve në dispozicion u janë edhe antagonistët H2 të receptorëve, stabilizuesit e membranës mastocite, inihibitorët e receptorëve leukotrienikë dhe kortikosteroidet.