Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ish-kreun e saj dhe kryetarin e partisë më të madhe shqiptare atje, Ali Ahmeti, ndodhen tashmë në Kuvend, aty ku Talat Xhaferi, ish-komandant, pas pak do të zgjidhet kryeministri i parë shqiptar, raporton Gazeta Express.
Zëvendëskryeministri dhe zyrtari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi tha se dëshiron “t’i ndajë emocionet” duke u lajmëruar drejtpërdrejt në Facebook nga ambientet e Kuvendit maqedonas, ku u dëgjuan këngë të Ilir Shaqirit e këngë të tjera shqip. Ahmeti u duk shumë i lumtur, teksa ia mori këngës edhe vetë.
“Urime të gjithë shqiptarëve! Është ngjarje e madhe sigurisht. Te të gjithë që i kam takuar deri më tani, shkëlqejnë sytë te të gjithë, ministrat e deputetët”, tha Ali Ahmeti.
“Dhe nuk është sukses i vogël. Për një çerek-shekulli, shqiptarët arrijnë majat e institucioneve dhe drejtimin e shtetit. Me simbole kombëtare, me universitete…”, tha ai.
“T’i kishe thënë dikujt para 20 vjetësh që kjo do të ndodh, të gjithë kishin thënë duhet në trajtim dhe terapi neuro-psikiatrike me e çu sepse s’është në rregull”.
Paraprakisht, Grubi hyri në sallën e Kuvendit dhe tregoi karrigen ku do të uet kryeministri i parë shqiptar në RMV, Talat Xhaferi.
“Kjo do të jetë karrigia ku do të ulet Talat Xhaferi”, tregoi Grubi.
“ Të gjitha fytyrat janë të qeshura në Kuvend. Ndoshta vetëm opozita jo. Uroj që deputetët e opozitës të votojnë për kryeministrin e parë shqiptar”, tha Grubi.
Pas pak, deputetët e Maqedonisë së Veriut pritet ta zgjedhin qeverinë teknike me në krye Talat Xhaferin. Kjo qeveri do të jenë në detyrë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.