Oficeri dhe kapiteni i FSK-së, Ismail Hoxha, është përzgjedhur si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”. Ky sukses i Hoxhës është arritur në bazë të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, njofton Llapi.info
Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vite rresht, për të vazhduar më pas kontributin e tij në ngritjen e kapaciteteve trajnuese në FSK sipas mandatit të ri.
E përzgjedhjen e tij si instruktor nuk e ka lënë pa e komentuar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell.
Ambasadori në emisionin “Oxygen Show”, ka thënë se partneriteti ka filluar me kapitenin e FSK-së, Ismail Hoxha.
“Jemi partnerë ushtarak për herë të parë, tash Kosova e ka një ushtar-kapiten Ismail Hoxha, që është aktualisht në akademinë ushtarake britanike t’u iu dhënë mësime ushtarëve britanikë, kjo është partneritet por askush nuk mbetet në dëshpërim”, ka thënë O’Connell.
Ndryshe, kapiten Hoxha si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore u zgjodh në mars, derisa përgëzime i kanë dhënë edhe krerët e lartë shtetërorë./Llapi.info