Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se partitë politike në vend e dinë qëndrimin e tij rreth votimit të presidentit të ri.

Në një postim në Facebook, Abbott tha se zgjedhjet e reja nuk janë në interesin e askujt.“Kuvendi së shpejti do të mbajë një seancë për të zgjedhur një President të ri.

Nëse kjo do të ndodhë me sukses, procesi i formimit të institucioneve do të ketë përfunduar dhe ata mund të fillojnë të punojnë seriozisht. Nëse votimi dështon, kushtetuta kërkon që të bëhen zgjedhje të reja”, ka shkruar ambasadori britanik.


Ai ka treguar tri gjërat, që sipas tij, ua ka thënë edhe drejtuesve të partive politike në vend.“Që nga votimi në 14 shkurt, mesazhi im drejtuar drejtuesve të partive, si në publik ashtu edhe në atë privat, ka qenë i qëndrueshëm: 1) Vota – pjesëmarrja më e madhe që nga viti 2004 – ishte një sinjal i qartë nga populli i Kosovës për ndryshim dhe qeveri efektive; 2) Të gjitha partitë, jo vetëm partia fituese, duhet të luajnë një rol konstruktiv në formimin e institucioneve; 3) Zgjedhjet e reja në mes të një krize pandemike dhe ekonomike nuk janë në interesin e askujt”, ka thënë Abbott.

Këto qëndrime, ambasadori britanik thotë se nuk i ka ndryshuar as sot.“Nuk ka ndryshuar sot. Natën e kaluar ne pamë shumë deputetë që flisnin në mbrojtje të demokracisë dhe institucioneve demokratike të Kosovës. Pikëpamja ime është se mbrojtja e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës do të thotë gjithashtu të luash një pjesë të plotë në Zgjedhjet Presidenciale. Deputetët mund të votojnë siç dëshirojnë.

Por akti i përgjegjshëm është që ata të përmbushin rolin e tyre kushtetues duke mbështetur procesin demokratik përmes pjesëmarrjes së tyre dhe votës së tyre”, deklaroi ai.