Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, sot ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Financave për krijimin e vendeve të reja në bujqësi, në vlerë prej 6.5 milionë euro. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave dhe korrigjimin e kufijve, për të cilin ka thënë se Kancelarja Gjermane Angela Merkel ka qenë e qartë kur ka thënë se nuk do të ketë korrigjim të kufijve në Ballkan.

Diplomati gjerman ka thënë se duhet të përpiqemi të përmirësojmë jetën e qytetarëve dhe të mos përpiqemi të zgjidhim ndryshimet kufitare, pasi këto kohë sipas tij, kanë kaluar njëherë e përgjithmonë.

“Mendoj se ky kontinent ka parë mjaft sa i përket kufijve në shekujt e kaluar. Pra, le të përpiqemi të përmirësojmë jetën e qytetarëve, të cilit do komunitet që i përkasin në vendet përkatëse dhe mos të përpiqemi të zgjidhim ndryshimet kufitare. Unë mendoj se këto kohë kanë kaluar njëherë e përgjithmonë”, theksoi Heldt.

Ndërsa për një afat kohor të liberalizimit të vizave, ai ka thënë se heziton të flasë për data të sakta, për proceset që nuk mund t’i kontrollojë, por ka thënë se sa më shpejt që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, do të jetë më mirë.

“Kjo kërkesë nga Kosova si vendi i vetëm në kontinent ku veçanërisht të rinjtë nuk janë në gjendje të udhëtojnë dhe të zbulojnë Evropën së cilës ata duhet t’i bashkohen nuk është një gjendje e kënaqshme”, është shprehur ai.

Po ashtu, Heldt ka thënë se liberalizimi i vizave është një process ku nga pala kosovare janë përmbushur të gjitha kushtet në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian dhe tani duhet të kalojmë nëpër procese në Bruksel dhe në kryeqytetet e shteteve anëtare, pasi që Këshilli duhet të reflektojë mbi rekomandimet e Komisionit.