Si e gjithë bota mesdhetare, edhe shqiptarët iu bashkuan lumit njerëzor të emigrantëve që mësynë dy Amerikat. Me një histori që shpesh përhumbet në terrin e mungesave të burimeve historike, shqiptarët mund të jenë ndër popujt e parë që u namatisen nga Bota e Re dhe ëndrra e pashuar për një jetë më të mirë. Ajo që në fillim u vajtua si gjëmë për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që linin vatrat familjare, brenda pak vitesh do të bëhej fuqia që do t’iu dilte në krah shqiptarëve mu në orën më të ligë të historisë. Prej Wilsonit te Roosevelti, nga Bushët e deri te administrata e fundit në Washington, Shtetet e Bashkuara u nyjëtuan me zhvillimet më të rëndësishme të historisë së re shqiptare
Në qindvjetshin e nëntëmbëdhjetë, Amerika po zbulohej edhe për shqiptarët si tokë e mundësive. Do të qëllonte si ironi e fatit që i pari shqiptar që u regjistrua në Shtetet e Bashkuara kishte një ngjashmëri, të paktën në emër, me Kolombon.

Nëpunësit e ftohtë që punonin në zyrat e ishullit Ellis, stacioni i parë para se emigrantët evropianë të lejoheshin të shkelnin tokën amerikane, shqiptarin që kishin përpara e regjistruan si “Nicholas Christopher”.

Në të vërtetë ai ishte Nikollë Kristofori, nga fshati Katund në qarkun e Korçës, që do t’i hipte një vapori grek që çante ujërat e Atlantikut të pafundmë. Duhet të ketë qenë viti 1884 kur korçari çatisi në Boston.

Asokohe vendbanimi buzë lumit Charles po lëshonte shtat si qytet që po rritej vazhdimisht nga shkulme emigrantësh: irlandezë, gjermanë, polakë, hebrenj e italianë. Mbase rasti i Kristoforit është storia klasike e emigrantit: nga një njeri që nuk e dinte gjuhën dhe flinte nëpër stacione të trenave, disa vjet më vonë ai u kthye në fshat i kullandrisur si zotëri i vërtetë. Bashkëfshatarët e tij do ta dëgjonin gojëhapur e kështu do të lindte namatisja për vendin që e mësonin si “Ameriqi”, aty ku edhe një shitës lulesh fitonte në ditë më shumë se një punëtor krahu në Shqipëri gjatë gjithë vitit. Ka edhe histori të tjera goxha familjare për ditët tona.

Ishte Nikollë Kristofori, nga fshati Katund në qarkun e Korçës, që do t’i hipte një vapori grek që çante ujërat e Atlantikut të pafundmë. Duhet të ketë qenë viti 1884 kur korçari çatisi në Boston

Sipas studiueses Valentina Duka, kompanitë e mëdha të vaporëve, për të siguruar fitime nga udhëtimet e emigrantëve shqiptarë, i dërgonin agjentët e tyre nga njëri qytet në tjetrin, kryesisht në Shqipërinë Jugore, të cilët vendosnin shpallje në pazaret e qyteteve për mënyrën dhe kohën e udhëtimit për në Amerikë. Madje tregtarët e vegjël apo dyqanxhinjtë shqiptarë, shpesh bëheshin edhe agjentë apo nënagjentë të këtyre shoqërive. Nëpërmjet këtyre agjentëve transmetoheshin gjithashtu në Shqipëri të gjitha ndryshimet e legjislacionit amerikan lidhur me emigracionin.

Kah Bota e Re

Por migrimi shqiptar drejt Botës së Re ka edhe një histori tjetër, fijet e së cilës nuk qëmtohen dot as në arkivat e ishullit Ellis, as në libra dhe as në kujtime. Dikur historiani emërmadh francez Fernand Braduel shkruante se si gjeografia mesdhetare e determinoi dukurinë e migrimit shekullor. Duke qenë se burimet natyrore nuk arrinin t’i përplotësonin nevojat e një popullate që gjithnjë e më shumë po rritej, në shumicën e vendeve mesdhetare shpërthyen hemorragji migrimesh.

Jo rastësisht edhe figura legjendare të eposit shqiptar përmenden pa etër: studiuesi Zihni Sako kishte vënë re se mungesa e përmendjes së babait të vëllezërve, Mujë dhe Halil, kishte shpjegimin te dukuria e shpërnguljes sezonale pastorale.

Migrimi masiv që karakterizoi shekullin e fundit të historisë shqiptare nuk del aspak një dukuri e re. Në të vërtetë, qindvjetëshat e mesjetës së vonë dhe e gjithë periudha e paramodernitetit ishin përplot me episode migrimesh masive të shqiptarëve.

Me zbulimin e Botës së Re, migrimi për herë të parë mori një kah të ri. Edhe bota shqipfolëse e kohës u bë pjesë e lumit të madh njerëzor që po kërkonte një fat të ri në tokat e reja. Historia e migrimit shqiptar drejt dy Amerikave fillon pikërisht me arbëreshët

Më i madhi shkulm ishte shtegtimi disashekullor shqiptar drejt Greqisë që viset e Atikës, Beotisë, Eubesë dhe pjesë të tëra të Peloponezit i bëri të njiheshin edhe si “Shqipëria e re”. Edhe valë të tjera migrimesh do të vijonin pandërprerë drejt Italisë së jugut, viseve të anëdetit dalmatin, e madje edhe drejt viseve të brendshme të Perandorisë Osmane, si në Selanik e Stamboll në shekullin e 18-të.

Por me zbulimin e Botës së Re, migrimi për herë të parë mori një kah të ri. Edhe bota shqipfolëse e kohës u bë pjesë e lumit të madh njerëzor që po kërkonte një fat të ri në tokat e reja.

Historia e migrimit shqiptar drejt dy Amerikave fillon pikërisht me arbëreshët. Edhe pse nuk mund të ndiqet si histori për shkak të mungesës së çfarëdo prove të rrokshme, dikush hamendëson se në mesin e stradiotëve (ushtarë shqiptarë me pagesë) që mbanin banerët dhe flamujt e Mbretërisë spanjolle – asokohe zotëruesja universale e deteve – duhet të ketë pasur edhe ndonjë që veç kishte kuturisur të hipte në luftanijet e “Grande y Felicísima Armada” drejt kontinenteve të sapozbuluara.

“Moj Amerikë”

Kur Italinë e dy shekujve të fundit e përfshiu migrimi me përpjesëtime të pabesueshme, edhe shqiptarët e atjeshëm, italo-shqiptarët, u bënë pjesë e këtyre lëvizjeve. Vendosjet e para arbëreshe në Shtetet e Bashkuara besohet të jenë qysh në fund të shekullit të 18-të, por shkulme të tjera ikanakësh u barasshpërndanë edhe në vende të tejlargëta të kontinentit të Amerikës Jugore: në Brazil, Rio Grande do Sul, Uruguai dhe Argjentinë.

Përmasat numerike të bashkësive albanofone në dy Amerikat mbetën frustrueshëm të panjohura, por sipas vetë shtypit arbëresh në Amerikë, deri në vitin 1939 kishte rreth 80 mijë italo-shqiptarë në SHBA dhe në Argjentinë.

Edhe në Shqipërinë katërvilajeteshe teksa po perëndonte shekulli i fundit nën pushtimin osman, Amerika po zbulohej përrallshëm si një vend i tjetërbotshëm, larg stërmundimeve të jetës. Kur burra e djem të rinj po merrnin botën në sy në kërkim të Amerikës, anonimi popullor vargëzoi me gjuhë gjëme një këngë: “Zjarri më të rëntë ty, moj Amerikë / Që na i mblodhe djemtë, djemtë axhaminj”.

Edhe në Shqipërinë katërvilajeteshe teksa po perëndonte shekulli i fundit nën pushtimin osman, Amerika po zbulohej përrallshëm si një vend i tjetërbotshëm, larg stërmundimeve të jetës

Nga visoret e Korçës dëgjohej edhe një tjetër lament për tokën e re që i zbrazte kasollet nga burrat: “Ç’u hap një kurbet-o/ Një kurbet i ri,/ Zjarri moj Ameriqí!/ Sebep seç na u bë,/ Kolë Sotiri…”.

Sipas shënimeve dokumentare të ishullit Ellis, ku vetëm brenda harkut kohor prej vitit 1892 deri më 1924 kaluan 12 milionë emigrantë, Amerikës ia kishin mësyrë edhe njerëz që si vendlindje shënonin Sanxhakun e Prishtinës, por edhe vise të tjera shqiptare. Në më të shumtën e herave, pjesa më e madhe e tyre regjistroheshin si turq, përderisa ishin shtetas të Perandorisë Osmane, ashtu sikundër edhe emigrantë nga jugu shënoheshin si grekë për shkak të përkatësisë fetare ortodokse.

“Shqiptarët të uritur, por jo lypsarë”

Kur Shtetet e Bashkuara po lartoheshin gjithnjë e më shumë sa Versaja, Parisi, Shën Petersburgu e Berlini të ngjanin më të zbehtë, njohja për shqiptarët fillonte e mbaronte vetëm tek një numër i vogël amerikanësh. Ishin mbase të tillë që kishin rastisur të lexonin ndonjë faqe për Shqipërinë dhe shqiptarët në ndonjë zhurnal skocez. Ose edhe ndonjë që kishte marrë flatra përfytyrimi tek lexonte vargjet e Byronit te “Childe Harold’s Pilgrimage”: “Fierce are Albania’s children…” (Të rreptë bijtë e shqipes…).

Në vitet ‘40 të shekullit të 19-të, poeti i dashur amerikan Clement Clark Moore do t’i rrekej përpjekjes për të sjellë të parin libër për Skënderbeun. Aq shumë e bëri për vete rrëfimi i kryekapedanit shqiptar sa ai do të kërkonte nga një mik i tij që t’i sillte nga Evropa çdo libër që mund të gjente për Skënderbeun.

E megjithatë Shqipëria mbeti e panjohur. Siç thotë studiuesi boshnjak Haris Silajxhiq, gjithë dija për botën shqiptare në Amerikë ishte e tillë që u përkiste salloneve kureshtare të aristokracisë. Sipas tij, vrasjet masive që kreu ushtria greke në gjysmën e parë të vitit 1914 në jug të Shqipërisë bënë që publiku amerikan të përftonte përshtypjet dhe informacionet e para.

Sipas studiuesve të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, vala e parë e mërgimtarëve vinte kryesisht nga jugu i Shqipërisë, që asokohe po rrënohej nga reperkusionet osmane dhe nga gjendja e keqe ekonomike

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Fondit për Ndihmë ndaj Shqipërisë, Pil Vil, që e vizitoi jugun shqiptar, shkruante se as që mund ta mendonte “se në Shqipëri do të gjendeshin aq shumë vuajtje të tmerrshme njerëzore”.

I njëjti e thoshte shkoqur se duhet t’u dilej në ndihmë shqiptarëve edhe për faktin se ata “meritojnë po aq simpati dhe ndihmë sa edhe popujt e tjerë evropianë, sepse ata nuk janë lindorë, nuk janë turq, sirianë, arabë apo persianë, por janë perëndimorë. Shumë prej tyre kanë sy të kaltër dhe janë biondë”.

William Howard, duke shkruar për një nga vizitat në Shqipëri në fillim të Luftës së Parë Botërore, shprehej se kishte mbetur me përshtypje të thella nga qëndrimi i shqiptarëve: “Më shikonin me sy, nga të cilët rrezatonte uria që i kam njohur shumë mirë në Amerikën Latine dhe në Kubë, por nuk kërkonin lëmoshë dhe as ndihmë”.

Në fillim të qershorit të vitit 1915, ky Fond ia kishte nisur një letër presidentit amerikan nëpërmjet së cilës njoftohej për gjendjen e vështirë në Shqipëri, ku “gjysmë milioni njerëz po vdesin nga uria, ndërsa 100 mijë tashmë kanë vdekur”.

Dy miq të mëdhenj: Wilsoni dhe Roosevelti

Image

Statuja e Lirisë, New York, 1905 (Foto: Detroit Publishing Co. – Libraria e Kongresit)

Sipas studiuesve të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, vala e parë e mërgimtarëve vinte kryesisht nga jugu i Shqipërisë, që asokohe po rrënohej nga reperkusionet osmane dhe nga gjendja e keqe ekonomike.

“Si edhe me grupet e tjera lindore evropiane, shumica e emigrantëve të hershëm ishin burra të rinj që shpresonin të fitonin të holla para se të ktheheshin në vendlindje”, thuhet në “Encyclopedia of North American Immigration” me autor John Powell.

Në të jepet edhe e dhëna se në vitin 1919 në Shtetet e Bashkuara jetonin 30 mijë shqiptarë, prej të cilëve vetëm 1 mijë ishin gra.

Ndërsa diaspora shqiptare po bëhej gjithnjë e më e numërt, organizimet politike do të bëheshin të pashmangshme. Filloi me federatën panshqiptare “Vatra” (e themeluar më 1912) e vazhdoi me organizatën “Shqipëria e Lirë” (1941). Në ditët më të mira e para kishte 50 degë të ndryshme gjithandej Shteteve të Bashkuara dhe 800 anëtarë, kurse “Shqipëria e Lirë” kishte 400 anëtarë. Ndonëse marrëdhëniet e tyre ishin të acaruara, të dy këto organizata bashkë me shoqëri të tjera patriotike bënë përpjekje për t’i njoftuar institucionet zyrtare amerikane për gjithë çka ndodhte në Shqipëri e për të siguruar eventualisht edhe mbështetjen e Washingtonit.

“Emigrantët shqiptarë, në përgjithësi, dhe në veçanti ata të Amerikës, mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uilson”, shkruan akademiku boshnjak Haris Silajxhiq në librin e tij “Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Washingtonit”.

Me rreth 70 mijë shqiptarë në Amerikë, qendrat kryesore të tyre ishin New Yorku, Washingtoni, Bostoni, Detroiti, San Francesco, Bridgeporti etj. Atje ishin vendosur edhe disa mijëra emigrantë nga pakica greke në Shqipër

Edhe “Vatra”, në një nga numrat e organit të saj “The Adriatic Review”, trumbetonte me krenari se “në listën e miqve të Shqipërisë bëjnë pjesë edhe dy njerëzit më të ndritur të Amerikës dhe të botës: presidenti Uilson dhe ish-presidenti Ruzvelt”.

Vetë Fan Noli – i cili më 1908 ia doli mbanë të krijonte një kishë autoqefale shqiptare – pati rastin të zhvillonte një takim me presidentin e asokohshëm amerikan, Woodrow Wilson. Atij ia paraqiti në mënyrë jozyrtare problemin e Shqipërisë të cilin burrështetasi me origjinë skocezo-irlandeze e dëgjoi “me interesim dashamirës”.

Një brez i ri

Në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore për herë të parë do të krijohej një hendek mes emigracionit dhe Shqipërisë, që po izolohej në emër të ideologjisë.

Mërgata e shpërndarë në të katër anët e botës u përball me një gjendje të vështirë ekonomike. Këtu bënte përjashtim vetëm diaspora shqiptare në Amerikë ku, si rrjedhojë e pagave më të mira sesa në Evropë, ngriti shtat një shtresë emigrantësh që vunë disa kapitale e ngritën biznese të vogla e të mesme. Brezi i dytë i emigrantëve përjetoi një rritje cilësore edhe sa i përket arsimit, ku plot të rinj morën diploma ndër universitete amerikane. Sipas një vlerësimi, në vitin 1952 vetëm 15 për qind e tyre ishin analfabetë.

Me rreth 70 mijë shqiptarë në Amerikë, qendrat kryesore të tyre ishin New Yorku, Washingtoni, Bostoni, Detroiti, San Francesco, Bridgeporti etj. Atje ishin vendosur edhe disa mijëra emigrantë nga pakica greke në Shqipëri.

Studiues të ndryshëm kanë vënë re se veprimtaria politike e mërgatës shqiptare kishte humbur shumëçka nga shkëlqimi i saj. Ata japin arsye të ndryshme, duke e vënë theksin sa te mbyllja e dyerve të bashkëpunimit nga regjimi i ri komunist, po aq edhe te ardhja e brezave të rinj që nuk kishin lindur në Shqipëri, te humbja e vazhdueshme e gjuhës, përçarjet e brendshme si dhe te organizimet e brishta politike.

Që Shqipëria të ishte e lirë

Sidoqoftë, brezi i vjetër i emigracionit shqiptar zhvilloi një luftë herkuliane në nivelin propagandistik për pranimin e Shqipërisë në Konferencën e San Francescos dhe në Kombet e Bashkuara, njohjen e Qeverisë shqiptare, si dhe mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit shqiptar kundrejt mëtimeve greke.

Qysh në gusht të vitit 1944, organizata “Shqipëria e Lirë” i kishte kërkuar Qeverisë amerikane që të njihte Qeverinë e Frontit Nacionalçlirimtar të Shqipërisë. Po gjatë atij viti, kërkesa ishte mbështetur edhe nga “Vatra”.

Vitin pasues në Amerikë do të krijohej një komision për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë i kryesuar nga Fan Noli. Me rreth 20 mijë dollarë sa kishte në dispozicion, Komisioni iu përvesh detyrës për t’iu kundërvënë propagandës greke në Amerikë.

Në adresimin e tij para popullit amerikan, më 24 mars 1999, presidenti Bill Clinton do të shpjegonte arsyet pse Kosova kishte rëndësi për Amerikën

Çuditërisht, simpatia që gëzonte shteti shqiptar tek mërgimtarët shqiptarë do të shkonte duke u zbehur gjithnjë e më shumë. Fan Noli dhe “Vatra” filluan ta shihnin me shqetësim qëndrimin armiqësor të Qeverisë komuniste ndaj Amerikës. Në mars të vitit 1946, Noli do t’i dërgonte një telegram Enver Hoxhës, në tekstin e të cilit, midis të tjerash, thuhej: “Unë besoj që tani çdo vonesë do të paragjykojë çështjen tonë. Duke marrë parasysh shqyrtimin e afërt në OKB të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim, si dhe propagandën intensive greke mbi ‘Epirin e Veriut’, unë sugjeroj të pranohen menjëherë traktatet me SHBA. Ky pranim do të sjellë automatikisht njohjen amerikane, do të zhdukë pengesat për pranimin në OKB dhe do të na lehtësojë punën e mbrojtjes me sukses të integritetit tokësor të Shqipërisë”.

Plasaritjet diplomatike po vinin duke u thelluar edhe më. Qeveria komuniste në Tiranë pengoi dërgimin e ndihmave në Shqipëri nga organizata humanitare “Albanian Relief Fund” dhe nga Komiteti Vullnetar Shqiptar. Pakënaqësia do të arrinte majat kur në vitin 1950 Qeveria shqiptare u vuri taksa të rënda doganore ndihmave që dërgonin mërgimtarët në Shqipëri.

Raportet mes shqiptaro-amerikanëve dhe Qeverisë në Tiranë do të kalonin në nivele të hapura armiqësie. Misioni shqiptar në OKB si dhe Ministria e Jashtme kaluan në një mësymje të plotë kundër organizatës “Vatra”.

Lufta mbi trupin e vdekur të Nolit

Dita e trembëdhjetë e muajit mars të vitit 1965, kur vdiq Fan Noli, e ashpërsoi luftën politike ashtu siç nuk ishte imagjinuar nga askush. Mbi trupin e vdekur të veprimtarit të njohur u zhvillua beteja për mënyrën si do të bëhej ceremonia mortore, ku do të bëhej varrimi e deri te ajo se kujt do t’i takonte trashëgimia e tij. Përfaqësuesit e Tiranës arritën të vendosnin në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA Stefan Laskon, që konsiderohej si njeri i afërt me ta. Ata, po ashtu, i penguan emigrantët politikë të mbanin fjalime në funeralin e Nolit, madje siguruan që biblioteka e tij t’i lihej trashëgim Universitetit të Tiranës.

Armiqësia me regjimin komunist do të vijonte të ishte konstante edhe për dekadat në vijim. Përveç kërkesave të pandërprera për demokratizimin e Shqipërisë, veprimtaritë e mërgatës shqiptare nisën të përqendroheshin gjithnjë e më shumë edhe te çështja e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. Mu për këtë qëllim në prill të vitit 1989 u krijua “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, e cila ishte një reagim i drejtpërdrejtë ndaj represionit serb në Kosovë.

“Mos i prekni shqiptarët”

Në maj të vitit 1990, kongresisti me origjinë arbëreshe, Joseph DioGuardi, bashkë me kolegun e tij, Tom Lantosh, vizituan Kosovën dhe Shqipërinë. Falë përpjekjeve lobuese të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Bob Dole (kandidat për president të SHBA-së më 1996) më 29 gusht 1990 arriti në Prishtinë. Atë e shoqëronin edhe kolegët e tjerë: senatorë si John W. Warner nga Virginia, Jake Garn nga Utah, Don Nickles nga Oklahoma, Alfonse M. D’Amato nga New York, Steve Syms nga Idaho, si dhe Connie Mack nga Florida. Pavarësisht përpjekjeve të serbëve të Kosovës në krye me peshkopin Artemije për të manipuluar delegacionin amerikan, senatorët dhanë mesazhe të qarta.

Kur Artemije foli për “terroristët shqiptarë”, Nickels do t’i përgjigjej prerë se “policia serbe është terroriste, jo shqiptarët”, kurse Dole ia tërhoqi vërejtjen: “Mos i prekni shqiptarët”.

“Pse Kosova ka rëndësi për Amerikën?”

Në dhjetor 1992, ish-presidenti amerikan George H. W. Bush në “paralajmërimin e Kërshëndellave” ia tërhoqi vërejtjen homologut të tij jugosllav, Slobodan Milosheviq, se agresioni serb në Kosovë do të sillte një përgjigje unilaterale ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Kjo do të përsëritej disa herë më 1998 edhe nga administrata e Clintonit, e cila me gojën e Madeleine Albright do të deklaronte se: “Ne nuk do të rrimë e të shikojmë autoritetet serbe të bëjnë atë që bënë në Bosnjë”.

Në adresimin e tij para popullit amerikan, më 24 mars 1999, presidenti Bill Clinton do të shpjegonte arsyet pse Kosova kishte rëndësi për Amerikën. Ai e quajti këtë ndërhyrje si mbajtje të vlerave amerikane, mbrojtje e interesave amerikane dhe avancim të paqes.

“Ne po veprojmë që të parandalojmë një luftë të gjerë, të largojmë një fuçi baruti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë me radhë këtë shekull me pasoja katastrofike”, kishte thënë ai.

88 vjet pas deklaratës së Wilsonit, historia “presidenciale” do të reprizohej. “Kosova do të jetë e pavarur në një mënyrë ose tjetër”, kishte deklaruar presidenti amerikan George Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri.