Përfaqësues të kompanisë Ekobase Global janë takuar me Ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike Dardan Gashi, të cilin e njoftuan me planet për projekte konkrete në fushën e riciklimit të gomave të vjetra dhe energjisë së ripërtrishme.

Tomaz Groff, drejtori i kompanisë Ekobase Global për Evropë,tha se janë duke implementuar projekte të ngjashme edhe në Slloveni, Spanje ndërsa kemi dëshirë që të përfshijnë edhe Kosovën në këtë iniciativë që është duke marrë përmasa globale.

Ministri Gashi, duke i falënderuar për vizitën, i informoi përfaqësuesit e kësaj kompanie lidhur me mundësitë të cilat ofrohen sipas Ligjit për Investimeve Strategjike.

“Ne momentalisht konsiderohemi si shteti më liberal për sa i përket mundësive të cilat u ofrojmë investitorëve që potencialisht kualifikohen si investitorë strategjik në fushën e minierave, energjisë dhe turizmit. Deri tani kemi marrë aplikacionin e parë në fushën e energjisë solare nga një kompani shqiptaro – gjermane, ndërsa presim së paku edhe 4 aplikacione në fushën e minierave”, bëri të ditur Gashi.

Në fund u dakorduan që në vizitën e ardhshme në Kosovë të diskutohen edhe modalitetet konkrete të projektit në fjalë.