Në Kuvendin Komunal të Podujevës është mbajtur seanca e rregullt, ku për rend dite ishin katër pika, raporton Llapi.info
Pika për shpalljen në interes publik të rrugës në ndërtim e sipër, buzë lumit Llap, është bartur për këtë seancë pasi që nuk arritur të miratohet seancën e kaluar.
Banorët kanë ndalur punimet në këtë pjesë pasi që pretendojnë se janë ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit nga ana e Komunës së Podujevës.
Lexo edhe: Banorët ndalin punimet e rrugës së re në Podujevë, shkak shpronësimet
Mirëpo, edhe pse qytetarët janë kundër këtij vendimi, të cilët edhe kanë ndalur punimet në këtë rrugë, me votat pro të pozitës kjo pikë u miratua sot mes kundërshtimesh të mëdha pozitë-opozitë.
Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha, edhe në këtë seancë ka kërkuar nga këshilltarët që të miratohet ky vendim. Sipas tij, shpallja në interes publik është i domosdoshëm për atë pjesë.
“Jemi të obliguar ta sjellim në Kuvend pasi që është në interes publik dhe kërkojë që kjo pikë të miratohet sot”, tha Jaha.
Miratimin e kësaj pike e përkrahi grupi i këshilltarëve të LDK-së në Podujevë, e që njëherit patën edhe numrat për miratim.
“LDK e përkrahë këtë propozim, duke respektuar të gjitha rregullat ligjore për shpalljen në interes publik”, ka thënë Avni Fetahu-shef i GK të LDK-së.
Kundërshtime të mëdha dhanë partitë opozitare [VV e PDK]. Bajram Ajeti nga LVV tha se për ta shpallur në interes publik atë rrugë, duhet të arrihet marrëveshje me qytetarët pasi që sipas tij, është pronë private.
“Nuk është bërë asnjë hap dhe asnjë planifikim në atë rrugë. Duhet të arrihet marrëveshje me qytetarët. Ajo rrugë nuk i plotëson standardet. Andaj, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrahë e as nuk e voton këtë pikë”, tha Ajeti.
Miratimin e kësaj rruge nuk e përkrahu as PDK. Shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se për atë rrugë ligji është shkelur.
“Kryetari Veliu ka biseduar me qytetarët në vitin 2016 dhe që gati tri vite i ka lajthitur qytetarët me të marr përsëri pushtetin. Kryetari Veliu e ka shkelur ligjin për pronën private. Nuk ka pasur as debat publik për atë rrugë, e jo tash me shku me ja rrëzu shtëpinë. Ky vendim kalon se e përkrahë LDK-ja edhe pse ka probleme private. Ne si grup i këshilltarëve të PDK-së nuk e mbështesim këtë pikë”, tha ai.
Lidhur me këtë pikë ka folur edhe Avni Islami nga Balli Kombëtar i cili tha se nuk duhet të votohet pas kundërshtimeve të banorëve. Të njëjtin mendim e tha edhe Mrika Thaçi e sapo inkuadruara në AAK nga LDK.
Pas diskutimeve të këshilltarëve, drejtori Jaha kërkoi përsëri që të votohet. Kurse, për këtë pikë është dashur edhe të ndërpritet seanca, pasi opozita lëshoi sallën e Kuvendit.
Me t’u rinisur pas 10 minutave seanca, pas kundërshtimeve nga opozita, kjo pikë e rendit u miratua me votat e pozitës, me ç’rast edhe përkundër ankesave të banorëve ajo rrugë shpallet në interes publik.
Kujtojmë, shpalljen në interes publik e kanë kundërshtuar të gjitha partitë seancën e kaluar, pas kundërshtimeve të banorëve./Llapi.info