Kompania për Shpërndarje dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS ka kohë që ka nisur punimet për shtirjen e rrjetit elektrik në tokë në rajonin e Llapit, shkruan Llapi.info.
Mirëpo, në disa vende punët nuk po shkojnë siç duhet. Kështu kanë thënë për Llapi.info banorë të fshatit Sfeçël. Ata po thonë se përçueshmëria elektrike në tokë po bëhet “shkel e shko”. Siç thonë banorët afër lagjes “Ajeti”, kabllot elektrike janë futur shumë pak thellë në tokë, e që sipas tyre, kjo mund të jetë e rrezikshme për ta.
Banorët e këtij fshati kanë thënë se kabllot elektrike kanë nisur të shtrihen në tokë, por thellësia s’është më shumë se 20 centimetra. Ata po kërkojnë që të njëjtat të jenë më thellë në mënyrë që të jenë më të sigurt.
Duhet theksuar se kjo kompani rrjetin kabllor të energjisë elektrike ka nisur në shumë anë të Komunës së Podujevës. Ankesa për mënyrën se si po bëhen punët kanë adresuar në Llapi.info edhe qytetarët në rrugën “Hakif Zejnullahu”, afër shkollës fillore Enver Maloku. Këta të fundit kanë kërkuar që me largimin e shtyllave elektrike, të largohen edhe trafot e vogla të vendosur në trotuar dhe të lirohen hapësira e destinuar për këmbësorë.
Ndërkohë, në fund të muajit mars të këtij viti, kreu i komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryeshefi Ekzekutiv të KEDS-it, Alper Erbaş, kanë biseduar për bashkëpunimin në mes Komunës dhe KEDS-it në investimet që do të bëjë kompania për distribuim dhe furnizim me energji elektrike në rrjetin elektrik në territorin e Komunës së Podujevës.
Në këtë takim është bërë e ditur se KEDS-i gjatë këtij viti ka planifikuar investime në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro në rrjetin elektrik në Komunën e Podujevës./Llapi.info