Komuna e Podujevës ka akuzuar qeverisjen Haradinaj se nuk po e mbështet në projekte zhvillimore, njofton Llapi.info.
Në seancën e Kuvendit të Podujevës kur po diskutohej korniza afatmesme buxhetore 2020-22 ekzekutivi komunal është kritikuar nga opozita për mënyrën e planifikimit të buxhetit.
Një varg kritikash ka dhënë shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri në drejtim të ekzekutivit. Sipas tij, që nga paslufta, siç ka thënë ai, është punuar në asfalt dhe jo në projekte zhvillimore ekonomike.
“Kjo qeverisje, siç po shihet qysh prej pas luftës mendësia e saj është që nuk dinë me dalë përtej asfaltit dhe kanalizimit. Vazhdimisht qytetarëve iu është paraqitur asfalt e kanalizim. Të gjitha do të realizofshin nëse do të bëhej planifikimi. Ju edhe nëse do t’i kishi 500 milionë ju nuk do të dinit t’i shfrytëzoni për qytetarët e Podujevës. Kjo tregon mirë buxheti për investime kapitale. Vitin e kaluar keni arrit 68 për qind e buxhetit t’i realizoni për këto investime. Nuk dini të planifikoni dhe të punoni”, ka thënë Haziri.
Në lidhje me këtë, drejtori i Zhvillimit Ekonomik në këtë Komunë, Mirsad Kamerolli duke hequr ‘barrën’, ka fajësuar nivelin qendror për mos-mbështetje.
“Buxheti i ka kufizimet e veta, s’qëndrojnë ato se ne nuk dimë të planifikojmë. Janë dy faktorë: Mbështetjen për projekte zhvillimore nga ana e qeverisjes qendrore është zero. Nuk ka nivel qendror që s’kemi bërë përpjekje për mbështetje. Si Komunë s’kemi gjetur mbështetje në asnjë institucion qendror për projekte zhvillimore”, ka shtuar Kamerolli.
Ndryshe, këshilltarë komunalë të opozitës i kanë kërkuar Komunës së Podujevës të mos e çojë buxhetin në asfalt e kanalizim, por në zhvillim ekonomik, bujqësi, arsim e shëndetësi./Llapi.info