Profesori kosovar, Halil Ibrahimi, beson se masat e izolimit për shkak të pandemisë s’kanë sjellë veç të këqija. Si rezultat i tyre, ai kompletoi një hulumtim, ngriti vetëdijen e publikut për ndotjen e pellgjeve dhe emërtoi një insekt të sapozbuluar në bazë të virusit.
Ibrahimi po punonte në një raport hulumtues mbi një specie të pazakontë që gjendet në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Kjo specie tani mban emrin “Potamophylax coronavirus”. Lidhur me këtë, profesori Ibrahimi ka dhënë detaje për agjencinë prestigjioze të lajmeve “Associated Press”.
Si profesor në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Prishtinës, Ibrahimi kishte mbledhur këtë specie, që doli se jetonte vetëm në këtë park, rreth 120 kilometra larg Prishtinës dhe ishte ndryshe nga të gjitha speciet tjera në Ballkan.
Ai konsiderohet insekt i vogël dhe jeton në kushte të ndryshme, ambient të hapur e zona me lartësi prej 2000 metrash mbi nivelin e detit.
Për emrin e veçantë, në bazë të virusit, Ibrahimi ka thënë se donte që të ruhej si i tillë në mënyrë që të lidhej me kohërat e vështira me të cilat janë përballur njerëzit gjatë COVID-19.
“Janë disa arsye. E para, speciet e reja u zbuluan gjatë pandemisë, andaj donim të lidhnim këtë me kohën kur u zbulua sepse zakonisht kur speciet e reja zbulohen, ato lidhen me atë vend ku gjenden ose me diçka që lidhet me kohën kur janë zbuluar. Andaj koronavirusi ishte gjëja më e përshtatshme në këtë kohë kur u zbuluan speciet”, ka thënë ai.
Gjatë hulumtimit, Ibrahimi kishte kuptuar se ekosistemi i lumit ku u gjetën speciet e reja ishte në gjendje të rëndë.
Kosova dhe shtetet e Ballkanit kanë histori të gjatë të ndotjes së ambientit në të gjitha format, nga ujërat e zeza që derdhen direkt në lumenj deri te shpyllëzimi dhe keqmenaxhimi i hidrocentraleve. Situata e përgjithshme mjedisore e në Kosovë është përkeqësuar viteve të fundit, me rritjen e ndotjes nga ndërtimi, trafiku e industria, si dhe përpjekjet e Qeverisë për të promovuar hidrocentrale të vogla si alternativë për burim energjie, shkruan AP.
“Donim që figurativisht të lidhnim speciet me pandeminë tjetër që po ndodh në lumenjtë e Kosovës dhe të Ballkanit në përgjithësi, dhe që lidhet me degradimin e ambientit, nganjëherë përmes hidrocentraleve, që shkaktojnë efektin e njëjtë te speciet në lumenj sikur koronavirusi që po i shkakton te njerëzit këto ditë”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka kërkuar nga njerëzit që të jenë më aktivë në mbrojtjen e ujërave nga ndotjet.