Pushuesit ankohen më së shumti për zhurmat në plazh dhe pushtimin e hapësirave publike.
Por për policinë problemi më i zakonshëm është humbja e fëmijëve. Ata i largohen kontrollit të prindërve dhe lajmërojnë policinë.
Festim Karriqi është efektiv në stacionin policor të Golemit. Ai ia ka dale me sukses të gjejë të gjithë fëmijët e humbur në territorin që mbulon.
12 orë në ditë ai së bashku me kolegët patrullon në zonën e plazhit për t’i ardhur në ndihmë pushuesve.
“Zakonisht na drejtohen për qetësinë publike që ne e kemi parësore. Kjo është një zonë e qetë me pushues familjarë, por problematikë mund të them humbja momentale e fëmijëve pasi ne i kemi gjetur. I bëjmë apel prindërve, moshave madhore që të tregohen të kujdesshëm me fëmijët”, shprehet Festim Karriqi.
Këtë vit zona e Golemit po frekuentohet shumë edhe nga turistë të huaj të cilët për ndihmë kontaktin e parë e kanë me policinë.
“Polakë, çekë, bullgarë, maqedonas. Na kërkojnë ndihmë kur humbin rrugën ose nuk gjejnë resortet, apo për vendndodhjen e bankomateve për të tërhequr para”, thotë Karriqi.
Që prej 1 korrikut në të gjithë vijën bregdetare të vendit janë dislokuar 1100 efektivë të cilët në bazë të planit të masave do shërbejnë deri në fund të gushtit./Tch