Përveç Klinikës Infektive e asaj të Pulmologjisë, tashmë edhe hapësira e mjekimit intensiv qendror pothuajse është mbushur me pacientë të konfirmuar me COVID-19.

Ka më shumë se 3 javë, që kjo pjesë e Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit ka filluar të shfrytëzohet për t’i trajtuar personat e prekur me COVID-19 e që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, raporton KOHA.

Kjo hapësirë ani pse ka 27 shtretër, numri i vogël i stafit mjekësor e bën të pamundur trajtimin e një numri të tillë të pacientëve.

Brenda kësaj hapësire, përveç zhurmës së aparaturave, vështirë që mund të dëgjohet gjë tjetër, pasi që shumica e pacientëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

E ata të cilët ishin të vetëdijshëm, vazhdimisht falënderonin stafin dhe apelonin te qytetarët për kujdes.

“Le të ruhen, unë jam ruajtë boll, po nuk e di ka më ka ardhë”, thotë njëri prej pacientëve.

Shpresa Vuniqi-Sejdiu është njëra nga mjeket këtu, e cila ishte e prekur me COVID-19, por pas shërimit është kthyer sërish në punë.

E përgjegjësi i kësaj pjese të QKUK-së thotë se është shqetësues numri i madh i të infektuarve, ditëve të fundit në Kosovë.

Në objektin e Mjekësisë Sportive, e cila është duke shërbyer për pacientë me koronavirus, gjatë së martës kanë marr trajtim mjekësore rreth 15 pacientë, gjendja e të cilëve është e rëndë.