Kompania “Apetit” ka lëshuar një komunikatë për media pas dyshimeve se mishin e Brazilit e shiti në Shqipëri për të Kosovës.
AVUK tashmë ia ka ndaluar eksportin kompanisë në fjalë ndërsa një inspektor është dërguar në komision disiplinor pas dyshimeve në mashtrim e manipulim me dokumente zyrtare.
Ata pretendojnë se lajmet janë të pavërteta dhe tendencioze, ndërsa sa i përket raportimit të mediave shqiptare thonë se janë dakorduar që të eksportojnë rreth një ton mish viçi, prodhim i thertores së tyre, raporton Paparaci. Sipas tyre “ata kanë publikuar një video ku diskutohet për dy artikuj të ndryshëm, ndër ta edhe biftekun e importuar nga Amerika e Jugut të cilin ne e ofrojmë në treg me kushte të tjera”.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka marrë masa kundër kompanisë “Apetiti ‘Sh.P.K’, duke ia ndaluar eksportin e produkteve të mishit.
Zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi kishte thënë se vendimi ka ardhur pasi u konfirmua se kompania në fjalë ka blerë mish nga Brazili dhe e ka shitur në Shqipëri si produkt me origjinë nga Kosova, së bashku me falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim të dyshimtë me inspektorë të shtetit.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik.
“Pas publikimit dhe shpërndarjes ditën e djeshme të disa lajmeve krejtësisht të pavërteta dhe tendencioze, Apetit Shpk ndihet e detyruar të adresojë në mënyrë të menjëhershme pasaktësitë dhe të japë qartësi për këtë çështje për të parandaluar dezinformatat në publik.
Në rastin e publikuar nga një media shqiptare, të dërguar në mënyrë tendencioze, ne jemi dakorduar që të eksportojmë rreth një ton mish viçi, prodhim i thertores tonë. Megjithatë, në videon e publikuar, me qëllim dekurajimin e depërtimit tonë në tregun shqiptar duke krijuar një imazh të pavërtetë tek publiku, ata kanë publikuar një video ku diskutohet për dy artikuj të ndryshëm, ndër ta edhe biftekun e importuar nga Amerika e Jugut të cilin ne e ofrojmë në treg me kushte të tjera.
Ndryshe nga këto publikime të fundit, Apetit Shpk mohon kategorikisht çdo pretendim për sjellje të pahijshme ose keqpërdorim në operacionet tona. Ne sigurojmë klientët tanë, palët e interesuara dhe publikun e gjerë që proceset tona i përmbahen standardeve më të larta të cilësisë, sigurisë dhe transparencës. Objektet dhe procedurat tona i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe inspektimit rigoroz nga autoritetet përkatëse shtetërore, duke përfshirë AVUK, Doganat dhe ATK”, thuhet në reagim.