Njoftohen qytetarët llapjanë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka hapur programin e ri për subvencionimin e fermerëve. Zyrtarë të ministrisë kanë bërë të ditur se këtë vit vlera e subvencioneve për projektet në sektorin e bujqësi arrin shifrën prej 20 milionë euro, ndërsa, do të jenë në dispozicion edhe mbi 20 milionë euro grande investive. Afati për aplikim do të jetë nga data 25 shkurt deri me 10 prill 2015.
Në programin e ri për subvencionimin e fermerëve ka edhe shumë nënsektor të rinj të cilët nuk janë mbështetur në të kaluarën.
Isuf Cikaqi, Drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore në MBPZHR, ka deklaruar se këtë vit për herë të parë do të subvencionohen pemëtaria dhe perimtaria.
“Ministria e Bujqësisë, në programin e saj për këtë vit për herë të parë do të mbështet përmes subvencioneve edhe pemëtarinë, perimtarinë si dhe do të rrisë subvencionet për shumë kultura bujqësore, të cilat janë përkrahur viteve të fundit nga kjo ministri”, ka thënë Cikaqi.
“Në programin e këtij viti për bujqësinë dhe zhvillimin rural, do të ketë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari, për vreshtat ekzistuese, për material fidanor të pemëve dhe të hardhisë së rrushit”, ka shtuar Cikaqi.
Kurse përmes granteve investive, sipas tij, do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, pularia, vezëve, po ashtu do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e patates, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, vreshtaria dhe bimët mjekuese.
Po ashtu, sipas tij do të vazhdojë përkrahja e fermerëve për modernizimin e mekanizmit të tyre bujqësor dhe këtë vit përsëri investohet në projekte për ujitjen e tokave bujqësore, në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.
Sipas MBZHR, përmes subvencionimit kjo ministri ka ndikuar në zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me shumë kultura bujqësore dhe kjo ka rezultuar edhe me rritjen e rendimenteve të këtyre kulturave bujqësore.
Ndërkaq, përmes granteve investive dhe investimeve kapitale kanë arritur që të modernizojnë fermat bujqësore e blegtorale, e bashkë me këtë të rrisin edhe prodhimtarinë dhe cilësinë e produkteve bujqësore.
Ndryshe, vlera e subvencioneve dhe granteve investive gjatë vitit të kaluar arrinte në rreth 28 milionë euro, ku përfitues kanë qenë fermerë nga i gjithë territori i Kosovës.
Andaj, inkurajohen që edhe këtë vit fermerët llapjanë të aplikojnë dhe të jenë pjesë e fitimit të këtyre subvencioneve./llapi.info