Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në “Express Intervistën” ka thënë se prioriteti kryesor në mandatin e tij është krijimi i sigurimit shëndetësor.
Ai folur për rastin kur ditë më parë një grua kishte dyshuar se kishte koronavirus.
“Kemi raste edhe në shumë vende të tjera, prandaj është ngritur niveli i alarmit për shkak të rrezikut nga kjo sëmundje. Dyshimi i saj ka qenë i bazuar, pasi ka qenë në një resort në Francë, kur pesë persona ishin identifikuar me koronavirus. Por, fatmirësisht ajo doli negative. Në përgjithësi mendoj se duhet të përgatitemi që të jemi të gatshëm nëse paraqitet”, ka thënë Vitia.
Ai thotë se buxheti për shëndetësinë do të rritet, por njëherë duhet të analizohen të gjitha çështjet në mënyrë që shpenzimet të jenë adekuate.
“Është dita e pestë që jam në detyrë dhe shumica e kohës ka qenë në takime protokolare dhe me stafin, me të cilën jam befasuar. Buxheti do të rritet patjetër, por jo se do të rritet buxheti se s’do të kemi asnjë plan. Të gjitha problemet duhet të shikohen dhe në bashkëpunim me stafin mjekësor dhe që secili cent të shpenzohet në vendin e duhur dhe të mos ketë mungesë të barnave”, ka thënë ai. “Aty ku ka nevojë do të investohet më së shumti, por duhet të bëhen skanime dhe të marrim raportet e klinikave dhe atëherë do të kemi shumë më lehtë të kanalizojmë investimet”.
Ai thotë se synimi kryesor do të jenë sigurimet shëndetësore.
“Edhe në aspektin praktik që sigurimet shëndetësore do të jenë qëllimi ynë kryesor për të pasur një sistem shëndetësor stabil në të ardhmen, dhe ky është top prioriteti ynë politik deri në përfundim të mandatit. Nuk ka sigurime shëndetësor pa një sistem informator të duhur”, ka thënë Vitia, i cili ka shtuar se deri në fund të mandatit synojnë të funksionalizojnë edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas Vitisë edhe në të ardhmen, për disa sëmundje, qytetarët e Kosovës duhet të marrin trajtim jashtë vendit, kjo për shkak të kostove shumë të larta që kërkojnë krijimi i kushteve për trajtimin e disa sëmundjeve.
“Çdo herë do ketë nevojë që të ketë një fond për disa sëmundje që disa persona të dërgohen jashtë Kosovës. Pasi është edhe më lirë. Një pjesë do të vazhdojë të shkojë jashtë. Mirëpo, të gjitha shërbimet duhet të rritet dhe të përmirësohen, ajo çfarë mund të garantojmë është një transparencë e plotë ku do të shfrytëzojnë këto raste ata që kanë nevojë”, ka thënë Vitia.
Vitia tutje është shprehur se duhet të bëhen investime edhe në aspektin e mirëmbajtjes higjienike në spitale.
“Fatkeqësisht ka pasur edhe raste të tjera kur kanë marrë infeksione brenda spitalore. Është e jona që bashkë me këta ekspertë të ndjekim rekomandimet. E përveç investimeve në pajisje duhet të investohet edhe në mirëmbajtjen e higjienës në spitale”, ka thënë ai.
Për të është shqetësuese ikja e profesionistëve.
“Është paraparë edhe rritja e stafit, aty ku ka nevojë. Por, ajo që më shqetëson më së shumti është ikja e trurit nga Kosova dhe duhet të instalojmë meritokracinë pasi shëndetësia kosovare duhet të përmirësohet, e këtë duhet ta bëjmë së bashku. Eliminimi i faktorit politik në menaxhim është i domosdoshëm, por do të përforcohen përgjegjësitë. Duke njohur kolegët e mi, pres performancë, e raporte. Llogaridhënie do të kërkojmë më shumë”, ka thënë Vitia.