Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se debati për testimin e mësimdhënësve është i pabazë.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se “Vlerësimi i mësimdhënësve është proces i mishëruar i punës së mësimdhënësve, që nuk guxon të kufizohet në kohë dhe instrumente.”
Ministrja e Arsimit, ka shkruar disa fjalë edhe për SBASHK-un.
“Jam e hapur për bashkëpunim e komunikim me të gjitha palët me interes përfshi dhe SBASHK-un, mirëqenia e mësimdhënësve është prioritet i të gjithëve, mirëpo kërkesa nuk bën të kthehet në kërcënim të vazhdueshëm sindikal që cenon mësimdhënien dhe mësimnxënien, këtë nuk e lejojmë për askënd.”
Postimi i plotë i Arbërie Nagavcit:
Në situatë të pandemisë përkushtimi kryesor i joni vazhdon të jetë sigurimi i shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollë. Prioritet i përditshëm i Qeverisë është ngritja e cilësisë në mësimdhënie. Në këto rrethana, kur pasojat e pandemisë do të jenë afatgjata në procesin arsimor, debati për testim të mësimdhënëseve është artificial dhe i pabazë.
Legjislacioni aktual përcakton me saktësi procedurat e vlerësimit të performances së mësimdhënësve në të cilat aktualisht testimi nuk parashihet si mjet vlerësimi. Përkushtimi jonë është në mirë zbatim të legjislacionit por edhe rishikim sistematik të po të njëjtit për të siguruar një proces meritor të vlerësimit të mësimdhënësve. MASHTI mbi të gjitha do të siguroj që kapacitetet profesionale të vlerësuesve nuk janë më të pakta se ato të të vlerësuarve.
Vlerësimi i mësimdhënësve është proces i mishëruar i punës së mësimdhënësve, që nuk guxon të kufizohet në kohë dhe instrumente. Vlerësimi duhet të nxis për përmirësim, bashkëpunim dhe përkrahje, dhe assesi të perceptohet si kërcënues. Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve është interes dhe i vet mësimdhënësve.
Jam e hapur për bashkëpunim e komunikim me të gjitha palët me interes përfshi dhe SBASHK-un, mirëqenia e mësimdhënësve është prioritet i të gjithëve, mirëpo kërkesa nuk bën të kthehet në kërcënim të vazhdueshëm sindikal që cenon mësimdhënien dhe mësimnxënien, këtë nuk e lejojmë për askënd.
Falënderoj të gjithë mësimdhënësit, udhëheqësit e shkollave, administruesit, si dhe përfaqësues të DKA-ve për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Ju inkurajoj dhe ftoj për angazhim të përbashkët me qëllim të përmirësimit të rezultateve në arsim, në të gjitha nivelet e institucionet. Keni mbështetjen time të pa hezituar për punën që bëni.