Shefi i ekipit negociues të Prishtinës, Avni Arifi ka thënë se njohja e ndërsjellët është e vetmja mundësi për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Divizioni nuk është opsion dhe kushdo që mendon për ndarjen nuk po mendon për paqen në Ballkan. Duhet të tregohemi të mençur, pajtimi është kompromis i madh dhe ne duhet të kemi njohje reciproke”, ka thënë Arifi për televizionin serb ‘Prva’, përcjell lajmi.net.

Arifi ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, ku ka thënë se duhet të miratohet formati më i mirë për dialogun, duke shtuar se nuk është çështje vetëm e formatit por edhe efikasitetit.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të zbatuar marrëveshjet sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Arifi.

Tutje, ai ka thënë se grupi i punës i formuar për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave serbe po vazhdon përpjekjet, duke shtuar se Asociacioni do të ketë vetëm kompetencat e lejuara nga Kushtetuta e Kosovës.

Arifi ka refuzuar ndarjen e Kosovës si një zgjidhje të mundshme dhe ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse bëhet fjalë për njohje reciproke.