Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, tha sot se qeveria e Kosovës është duke e prishur raportin kushtetues mes Kuvendit dhe qeverisë duke mos u paraqitur në seanca të Kuvendit në bazë të kërkesave të deputetëve.
Pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit me shefat e grupeve parlamentare, Zemaj u shpreh se “ka brishtësi institucionale” ndërsa e konsideroi të pamundur funksionimin normal të institucioneve në këto rrethana.
“(Ka) shumë pika të grumbulluara, kuptohet me fajin e kësaj mazhorance, mazhorance minore, dhe e cila për mendimin tonë, janë duke e prishur edhe raportin kushtetues mes Kuvendit dhe qeverisë”, tha Zemaj.
“Ikja nga përgjegjësia e kryeministrit për të qenë pjesë e raportimit dhe nënshtrimit të mbikëqyrjes parlamentare të Kuvendit po ndodh edhe në caktimin e seancave të reja. Kemi tri seanca të grumbulluara më 17, 23 dhe 24 maj”, shtoi ai.
Ai tha se LDK ka futur në procedurë tri projektligje që lidhen me zhvillimin ekonomik e ku përfshihen Projektligji për Tatimin e të Ardhurave Personale, plotësim-ndryshimin e Ligjit për të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligjin për Tatimin në Vlerën e Shtuar.
Zemaj tha se LDK ka kërkuar që në seancën e 17 majit të bëhet edhe formimi i Komisionit hetimor për deportimin e 6 shtetasve turq.
“Kemi devijim edhe të pjesës së përgjegjësisë ligjore, por edhe të përgjegjësisë kushtetuese”, tha Armend Zemaj.