Podujeva, foto arkiv

Edhe java e fundit e shkurtit dhe fillimi i muajit mars, në Podujevë nuk ka kaluar pa incidente e raste nga më të ndryshmet. Përgjatë javës që tashmë lamë pas edhe u arrestuan disa persona.

Llapi.info ka njoftuar për të gjitha rastet e ndodhura me raportet e dërguara nga Policia e Kosovës.

Kësisoj, në raportin e së martës Policia e Kosovës, ka njoftuar se në Podujevë ka arrestuar një person, siç citohet në raport, për dhunë në familje. Ai dyshohet se më 21 shkurt kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Sipas raportit policor, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në raportin e kësaj ditë, Policia ka njoftuar se ka arrestuar edhe një person për vjedhje të rëndë. I njëjti kishte kryer vjedhje në një shkollë në fshatin Lupc.  Ndërkohë që atij i janë konfiskuar sendet e raportuara më herët si të vjedhura. 

“Personi i identifikuar është arrestuar, gjatë procesit të hetimit në vazhdim, janë gjetur dhe konfiskuar sendet e raportuara më herët si të vjedhura. Sendet e konfiskuara nga policia, sot u janë kthyer në pronësi të shkollës fillore në Lupq. Personi i arrestuar me urdhër te Prokurorit të shtetit është ndaluar nën masën prej 48 h, ndërsa dy persona, njëri gjendet në arrati ndërsa tjetri person është liruar në procedurë të rregullt me urdhër Prokurorit të shtetit”, ka njoftuar PK.  

Të martën në rrugën “Xhemaj Mustafa” në Podujevë, katër persona pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, katër persona janë shoqëruar në stacion, ndërsa dy prej tyre janë dërguar në mbajtje. Gjatë kontrollit te njëri prej tyre është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.

“Katër të dyshuar meshkuj K/Shqiptar, janë shoqëruar në polici, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur  në mes veti. Gjatë kontrollit te njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, ndërsa me vendim të prokurorit, dy prej tyre pas intervistimit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje,  ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në barkën e një të dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie pa leje.

Rasti raportohet të ketë ndodhur në fshatin Orllan të Podujevës, më 1 mars rreth orës 23:00. “Është raportuar se i njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhej në njoftimin e policisë./Llapi.info