Në fshatin Dumnicë e Ulët të Komunës së Podujevës gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona për kultivim të bimëve narkotike të llojit Kanabis Sativa.

Policia ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë: A.M. (1985) shtetas kosovar (mashkull), H.M. (1991) shtetas kosovar (mashkull), L.P. (1969) shtetas shqiptar (mashkull) dhe M.P. (1974) shtetase shqiptare( femër).

“Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë verifikuar informacionin në fjale dhe sot me date 26.08.2015 rreth orës 12:40 pas lokalizimit të vendit të dyshuar kanë vërejtur disa persona duke e bërë përpunimin e bimës Kanabis Sativa dhe me këtë rast edhe kanë intervenuar duke arrestuar në flagrancë katër (4) personat e dyshuar.” Thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia.

Policia ka njoftuar se poashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe dëshmi tjera relevante, ku në oborrin e shtëpisë në një serë të kufizuar me një lloj rrjete kishte mbjellur 350 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa me gjatësi prej 1.3 metra, kurse në podrumin e shtëpisë dhe në një objekt përcjellës të shtëpisë ( stallë ) pronë e të dyshuarit H. M. të cilat ishin adaptuar për përpunimin e bimës Kanabis Sativa, janë gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 129.2 kilogramë marihuanë, e cila ishte vendosur për tu tharë dhe ishte në fazën finale te përpunimit.

Në vendin e ngjarjes ka dale edhe njësia krim teknikës, e cila ka bërë vend shikimin kurse bimët narkotike pas marrjes se mostrave për ekzaminim janë shkatërruar sipas procedurave përkatëse për raste të tilla.

Të gjitha veprimet e ndërmarra policore janë ndërmarr në bashkëpunim me prokurorin dhe të dyshuarit dërgohen në mbajtje./Llapi.info