Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës ka vënë nën pranga dy shtetas të Iranit. Bëhet fjalë për dy të rinj që tentuan të kalojnë kufirin në Merdare pa dokumente valide, si pasaportën ose letërnjoftimin, raporton Gazeta Express.
Lajmin për Express e ka konfirmuar edhe Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës. Krasniqi tha se policia ka arrestuar S.S 1990 dhe D.M 1991. Këta të rinj ishin duke udhëtuar në autobusin e një kompanie kosovare, pa dokumente valide.
“Sot në ora 00:10 në dalje të Republikës së Kosovës, konkretisht në pikën kufitare në Merdarë, në autobusin e një kompanie kosovare janë hasur dy pasagjerë S.S 1990 edhe tjetri D.M 1991, që të dy shtetas të Iranit pa dokumente valide për udhëtim. Ata janë arrestuar dhe janë ndaluar nga policia, për këtë rast është njoftuar prokurori. Policia po merret me rastin”, tha Krasniqi.