Një vjedhje e rëndë ndodhi para rreth një muaji në fshatin Siboc të Podujevës. Hajnat atje vodhën 17 çelësa të auto-sallonit “Xhaviti”, tre mijë euro dhe shumë dokumente në një makinë, raporton Llapi.info
Salloni ishte cak i hajnave edhe të nesërmen, por që nga pronarët ishte zënë një nga hajnat edhe ishte dorëzuar në Policinë e Podujevës. Mirëpo, i njëjti, sipas pronarit të auto-salloni, ishte liruar me vendim të prokurorit.
Hajnat kishin vjedhur dy çanta, njëra me dokumente dhe tjetra me mbi tre mijë euro. Po ashtu ishin thyer vetura dhe ishin vjedhur 17 çelësa të veturave në këtë auto-sallon që tashmë pronarit po i kushton shtrenjtë për t’i zhbllokuar ato.
Sipas pronarit, hajni ishte liruar vetëm pas 24 orëve. Por, që i njëjti ka vazhduar me avazin e njëjtë, duke thyer vetura tjera në vend, konkretisht në Fushë-Kosovë. Megjithatë, Policia e Kosovës dje ka njoftuar se ka arrestuar dy persona me inicialet, D.K (1991) dhe D.H(1995), e që të njëjtit, sipas pronarit Muzli Ramadanit, patën sulmuar biznesin e tij para rreth një muaji.
“Këta të njëjtit më kanë vjedh edhe mua. 17 kerre më kanë mbetur të bllokuara. 3200 euro pare, me dokumente të veturave krejt. D.K dhe D.H qita dy edhe mua më kanë vjedhur. Unë ia kam lënë në dorë policisë, kishe merren këta me këtë punë, por send. Njërin e patëm zënë duke tentuar të na vjedh sërish e kemi dorëzuar në Policinë e Podujevës, por vetëm pas 24 orëve është liruar. Policia i ka liruar në procedurë të rregullt, as nuk m’i kanë kthyer çelësat as kurrgjë”, thotë për Llapi.info, Muzli Rrahmani.
Më tej, Rrahmani ka shtuar se deri më tani ka mbetur pa punuar, pasi që sipas tij, veturat janë të bllokuara.
“Çelësat po më bëhen 3 mijë e 300 euro për m’i zhblloku, veturat që një muaj më kanë mbetur të bllokuara”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie dje ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar për ‘vjedhje të veturave’.
“Policia e Kosovës nga rajoni i Prishtinës, konkretisht nga Stacioni Policor – Fushë Kosovë, pas një pune intensive disa mujore të Sektorit të Hetimeve të stacionit policor të lartë cekur, ka arritur të identifikojë personat për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer vepra penale ‘Vjedhje e Rëndë’ (vjedhje nga vetura)”, thuhet në komunikatë.
Sipas PK-së, të dyshuarit e arrestuar janë: D.H M/SH/K viti i lindjes 1995 dhe D.K M/SH/K viti i lindjes 1991. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë./Llapi.info