Policia e Kosovës ka arrestuar sot 19 vjeçarin i cili ka kryer një grabitje të armatosur në pompën e derivateve në Prishtinë, përveç grabitjes ai ishte i kërkuar edhe për vrasje në tentativë.

“Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në bashkëpunim me njësitet e stacionit të Veriut në Prishtinë, kanë arritë të lokalizojnë vendndodhjen e personit të dyshuar, i cili kërkohej për veprat, vrasje në tentativë dhe grabitje e armatosur”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se rasti ka ndodhur me datën 28 mars 2021 në rrugën “Mon Balaj”, në Prishtinë, saktësisht në një pompë derivatesh.

“Pas marrjes së autorizimeve nga ana e prokurorisë dhe gjykatës përkatëse, hetuesit rajonal kanë ndërmarrë një operacion bastisjeje në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin personit të dyshuar: A. K, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ishte i shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat në fjalë”, theksoi Ahmeti.

Ajo ka thënë se personi i dyshuar pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.