Dy persona në dy raste të ndara janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në qytetin e Podujevës, njofton Llapi.info.

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e përditshëm. Sipas PK-së, një i dyshuar është arrestuar në rrugën “Nuhi Gashi”, pasi që të njëjtit i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 41 fishekë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollimit të tij i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 41 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thotë PK.

Ndërsa, një tjetër person është arrestuar në këtë qytet, pasi që i njëjti kishte qenë në kërkim. Pa dhënë detaje tjera, Policia ka thënë se arrestimi i të dyshuarit është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata.

“Podujevë 24.02.2020 – 16:30. Në bazë të urdhëresës së gjykatës, është arrestuar i kërkuari mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit”, ka thënë tutje Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Llapi.info ka raportuar edhe gjatë ditës së djeshme për arrestimin e një personi në qendër të Poduevës./Llapi.info