I shumëkërkuari Kastriot Shala është arrestuar nga Policia e Kosovës pasditen e sotme rreth orës 15:30 në dalje të Prishtinës, në Hajvali.

“Mund të konfirmojmë se pas hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale të njësiteve policore, sot rreth orës 15:30 në Hajvali është arrestuar i dyshuari (K.Sh.) i cili ka qenë në arrati dhe në kërkim policor” ka bërë të ditur për klankosova.tv zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

I dyshuari i cili gjendej me një veturë të tipit Golf 7, kur është ndaluar nga policia ka qenë në posedim të një arme me një karikator në brez si dhe një karikator e kishte brenda në veturë.

Kastriot Shala në këto momente ishte i shoqëruar nga dy persona, një femër dhe një mashkull të cilët po ashtu janë shoqëruar në stacion policor.

Nga policia kanë njoftuar se të gjitha njësitet policore janë angazhuar për të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore.

Kastriot Shala bashkë me dy të dyshuar të tjerë dyshoheshin për disa raste të grabitjeve të armatosura dhe janë konsideruar si persona me rrezikshmëri të lartë.