Të mërkurën, është arrestuar personi me inicialet M.A., nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ku thuhet se i arrestuari, i nacionalitetit shqiptar, është shtetas i Republikës së Serbisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se është ndaluar një (1) person me inicialet M.A., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, në shkelje të nenit 142 të Kodit Penal të ish RSFJ si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, po ashtu e dënueshme edhe me nenin 146 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se M.A. i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohet se ka marr pjesë në masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë.”, thuhet në njoftim.Sipas komunikatës, i njëjti brenda afateve ligjore do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake.