Dy personat e arrestuar mbrëmë për plagosjen në Prishtinë janë familjarë të të dënuarit për vrasjen e Triumf Rizës, Enver Sekiraqës.
KALLXO.com mëson se dy të arrestuarit mbrëmë për plagosjen e dy personave të tjerë në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë, janë Naser Sekiraqa vëllai i Enver Sekiraqës dhe Fatlum Abazi familjar i këtyre dy të fundit.
Policia në raportin ditor ka thënë se një person i tretë i identifikuar është në arrati dhe se policia po kërkon për të.
KALLXO.com sipas burimeve mëson se i arratisuri është Jan Abazi, nipi i Enver Sekiraqës.
KALLXO.com ka kontaktuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka për të konfirmuar nëse të arrestuarit janë familjarë të Enver Sekiraqës.
“Mund të ju them se dy persona janë arrestuar…, po po këta dy që ju po i përmendni janë të arrestuar”, tha Beka.
Poashtu KALLXO.com sipas burimeve në Polici ka mësuar se të njëjtit kanë pasur probleme mes vete edhe më herët, ku ka pasur edhe të shtëna armësh.