Mbresa nga libri i Hasan Hasanit – Përkolës “Mirditë e mirditorë”, poezi, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2020
1.

Sado që shkroi edhe prozë, dramë, kritikë letrare, shkrime studimore dhe publicistikë, Hasan Hasani pjesën më të vëllimshme të krijimtarisë e ka në poezi, madje në poezi për të rritur. Me këtë zhanër ai e filloi krijimtarinë letrare dhe, krahas sukseseve edhe në zhanre të tjera letrare, poezia i është shënjuesi kryesor. Por, paralelisht me këtë, është e nevojshme që në fillim ta themi edhe një konstatim tjetër – Hasan Hasani është i dashuruar në artin letrar, në librin. Kësaj fushe ia kushtoi gjithë jetën e tij. Në biblotekën e tij ka mbi 70 tituj të librave si autor në lloje të ndryshme letrare. Ka, në mesin e tyre, shumë libra me poezi për të rritur, e cila është vokacioni i tij kryesor, por ka edhe mjaft vepra në prozë, tregime, romane, si dhe një numër të konsiderueshëm të librave me poezi për fëmijë. Ajo që Hasan Hasanin e paraqet si dashamirës të veçantë të librit janë edhe titujt e librave që ua kushtoi paraqitjes dhe vlerësimit të autorëve dhe veprave të ndryshme letrare, para së gjithash puna e përkushtuar në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë që nga fillimi i shkrimit të letërsisë sonë e deri në kohët më të vona, pastaj në Leksikonin e nobelistëve të letërsisë etj.

Ajo që mbase më bën që Hasan Hasanin ta përjetoj para së gjithash si poet mund të jetë edhe fakti se atë e kujtoj që nga viti 1971, kur e pashë së pari në tribunën e Mitingut të Poezisë në Gjakovë, nën reflektorët që ia ndriçonin fytyrën poetit më të ri në stadiumin “Shani Nushi”, që paraqitej aty krahas bardit Esad Mekuli, krahas Enver Gjerqekut, Rrahman Dedajt, Din Mehmetit, Ali Podrimjes, Azem Shkreli, Fahrendin Gungës etj., por edhe krahas Llazar Siliqit e Agim Shehut, të cilët në atë manifestim të madh poetik përthithnin shikimet dhe dashurinë e mijëra shikuesve, meqë me praninë e tyre na e kishin sjellë aty Shqipërinë e ndaluar për ne atëbotë.

Dashurinë dhe kujdesin për librin Hasani Hasani i shprehu edhe në një formë tjetër të veçantë. Në vitin 2017 përgatiti dhe botoi kompletin e veprave të tij letrare, në 15 vëllime, me më shumë se shtatëdhjetë tituj. Një kujdes dhe punë për lakmi. Ne që patëm privilegjin ta merrnim dhuratë nga autori atë komplet, menduam: Hasani, në shtatëdhjetëvjetorin e tij të lindjes i përmblodhi dhe i botoi të gjitha veprat e tij, me siguri edhe me qëllim që t’i japë vetes ndonjë pushim të merituar pas punës gjysmëshekullore intensive letrare. Me po këtë ndjenjë e bindje edhe e përgëzuam shkrimtarin e mikun tonë. Por Hasani këtë vit dëshmoi edhe një herë se letërsinë e shkruan jeta. Dëshmoi se krijimtaria letrare është një shpërthim i papërmbajtur i atij që e ka atë dhunti.

2.

Pikërisht kur mendonim se Hasan Hasani, me botimin e kompletit të veprave, e rrumbullakësoi krijimtarinë e tij letrare, në hyrje në dekadën e tij të shtatë të jetës, ai emrit ia shtoi edhe një mbiemër – Përkola, i cili i kishte ndenjur për shumë vite si një lloj misteri. Nisi kështu një pjesë të dytë të krijimtarisë së tij, e cila përveçse sjell tema e preokupime të reja, shoqërohet edhe me një mbiemër shtesë të autorit, me patronimin Përkola. Bëri kështu një gjurmim dhe një kthim të vendosur në rrënjën e tij. Këtë patronim ai edhe e kishte njohur, edhe e kishte ditur e ndier përherë, mirëpo ka qëndruar ashtu i heshtur me identitetin me të cilin ka dalë në këtë botë dhe nuk i është përkushtuar shpupurishjes së rrënjës, gjithë asaj që si rrëfim nga më të vjetrit e kishte shoqëruar që nga fëmijëria. Kalimi i gjatë i kohës nga ngulmimi i të parëve të tij në Jabllanicë të Dushkajës kishte bërë që nëse jo të harrohej, të lihej anash për gjatë kohë ky identitet i munguar.

Me pleqëri, thonë, njeriut sikur i shtohet kureshtja për gjurmime në identitet, madje thonë se i shtohet edhe dashuria për vendin e lindjes dhe gjithë atë që e bën atë të afërt, të dashur, të paharrueshëm. Këtë lidhje me njerëzit e brezave të mëparshëm të gjakut, në moshë më të shtyrë sikur e bën edhe më të fortë fakti se ata breza njeriut në moshë të shtyrë i bëhen më të afërt sesa ata që i lë prapa vetes. Ndaj në të shtatëdhjetat e tij, Hasan Hasani vendosi të merrej më shumë me misterin që përmbante emërtimi i kabiles së tij – Përkola, t’i përkushtohej ndriçimit të patronimit që e kishte shoqëruar që nga fëmijëria, por që njeriu i zhytur në dinamikën e jetës, karakteristike për moshën më produktive, nuk merret më shtruar me të. Rrëfimeve që i kishte dëgjuar nga më të vjetrit vendosi t’ua shtonte edhe përkushtimin të mësojë më shumë për patronimin që e kishin si familje, e që, edhe fliste, edhe s’fliste për diçka që kishte të bënte me identitetin e tyre të vërtetë. I hyri kësaj pune edhe si shkrimtar me një përvojë të gjatë krijuese, por edhe si shkencëtar. Gjurmoi dhe mësoi e forcoi njohuritë për shumë gjëra që edhe i kishte ditur dhe nuk i kishte ditur, por të cilat kurrë nuk e kishin lënë rehat.

3.

I pajisur me njohuritë që mori nga gjurmimet, por përherë edhe me bagazhin e rrëfimeve që i kishte dëgjuar, shkroi librin “Përkolajt”, siç e tipizon vetë, një vepër publicistiko-historike mbi gjenealogjinë e familjes. Në këtë punë do ta kenë shtyrë gjaku, kureshtja e pashuar që t’i qartësojë disa gjëra për vete, por mundësisht edhe për brezat që vijnë. Në të vërtetë, arrin që rrëfimet të cilat ishin përcjellë ndër breza, brezave që vijnë t’ua gatojë si një testament. E bën këtë me një përkushtim dhe dashuri, mbase edhe i egzaltuar nga fakti se pikërisht ai bën një prerje nga e kaluara në humbëtirë, bën zbardhjen e një pjese të historisë së identitetit të vet dhe të familjes, zbardh një mister, i cili, ç‘është e vërteta, na mundon aq shumë ne shqiptarëve, i cili i mungon historisë sonë për ç‘arsye pothuajse asnjëherë nuk kemi mundur t’ua shpalosim si duhet e sa duhet brezave të rinj. Arsye janë sundimet e pushtuesve të huaj, mungesa e shkollës dhe e dijes, me shekuj të ndaluara për ne. Çështja e historisë familjare, para së gjithash, pothuajse përherë ka qenë një nga pyetjet e vështira që kemi mundur t’ia shtrojmë vetes. Më shumë se na mësoi historia e shkruar për të, na ka mësuar e hamendësuar rrëfimi që është përcjellë me të thëna e të pathëna deri në mister, rrëfimi që jo rrallë është zbehur deri në harresë.

4.

Kushdo që ka shkruar për vendin i vet ka paraqitur imazhet që e bëjnë atë, por ato imazhe janë vetëm dhimbë nëse nuk shoqërohen me njerëzit. Ndaj poeti Hasani-Përkola, pas përshkrimeve të bukura që ia bën fshatit të origjinës, Domgjonit, nahisë në të cilën gjendet ai, një cikël të tërë poezish ua kushton figurave të shquara të Mirditës apo atyre me prejardhje nga Mirdita, duke i përjetuar si krenari, por edhe si dashuri e cila e cyt të udhëtojë në të kaluarën e vet, që në të vërtetë del një udhëtim i poetit mungëtirës së jetës së kaluar.

Çfarë sjell libri më i ri poetik i Hasan Hasanit – Përkoles kushtuar Mirditës dhe mirditorëve?

Që në fillim bie në sy se vargu i poetit Hasan Hasani – Perkola sikur më shumë është i afërt me ligjërimin epik, ashtu siç edhe e nisi vargnimin e tij me veprat e para poetike. Gjuhën e poezisë së tij ai ia atribuon gurit, meqë guri del edhe një nga rekuizitat, por edhe simbolet kryesore të ambienteve të tij poetike. Lexuesin e bën për vete edhe më shumë larushia e vargnimit, vargu më shpesh i gjatë, por edhe i shkurtër, vargu i rregullave metrike dhe ai i lirë, vargu i ndarë në strofa të ndryshme dhe vargnimi monokolon, për të arritur kulmin me tingëllimat e tij, që janë karakteristike për poetët të cilët vargnimin e kanë dashuri, pasion dhe mjeshtëri të zotëruar.

Mirditës, krahinës së cilës i takon edhe Domgjoni, vendi i të parëve të tij, i drejtohet me vargun: “Heu Mirditë, kënga ime e humbur honeve të mugëta”. Por, përse të mugëta? Për shkakun se e gjithë jeta jonë, e brezave në vijimësi, sikur ka ecur mugëtirës, duke mos arritur të zbardhet nga ndonjë shënim për të. I drejtohet vendit të origjinës me këtë varg nismëtar dhe vazhdon gjurmimin e tij si një “kojril i vonuar” (f.38) duke bredhur, siç shkruan, “N’Mirditën time që e zbulova në gjakun tim” (f.46) dhe duke konstatuar në vargnim e sipër: “Kur shaloset pengu shekullor shpërthimi është i fuqishëm…”. Duke gjurmuar kësaj “çerdheje të zanave” (f.59), poeti kërkon ëndrrat e Pren Kolës (f.62), të parit të degës së trungut të tij familjar.

Ky shpërthim në zbardhjen e misterit shekullor, përkatësisht katarsa e poetit pas triumfit mbi të shprehet fuqishëm në vargjet e para të poezisë prijëse të pjesës së parë të vëllimit poetik të titulluar “Mirditë”:

U përvodha hije nëpër reliktet që më përcollën në Domgjon

Dhe shalova kalin e erërave trup e t’thuer Mirditës

Duke kapërcyer pellgje gjaku ku notonin bjeshkët, kullat… një hyrje e fuqishme në shpalimin e këtij zbulimi të rrugëtimit të bërë mugëtirës, një hyrje në zbardhjen e identitetit dhe të rrugës së gjatë për ta bërë këtë, duke vazhduar, me ndihmën e enumeracionit, me paraqitjen e gjithë spektrit të gjerë të historisë së trevës së identitetit, për të përfunduar me shpërthimin e sërishëm: Heu Mirditë, kënga ime e humbur honeve të mugëta… dhe për të vazhduar me njerëzit e këtij ambienti, të cilët pas kërkimeve nëpër muzeume dhe në pikturat murale të kishave, me ndihmën edhe të kalit të erërave, i gjen në “oda burrash, n’vatrat ku kanë le”. I gjen andej “vikingët që kanë lindur nga gurtë” për t’u ndalur në vendin e kërkimit të rrënjës, në Domgjonin e Pren Kolës, i cili rreth vitit 1730 është shpërngulur nga aty për t’u vendosur në Jabllanicë të Dushkajës. Ndaj është shumë mbresëlënës fillimi i poezisë për Domgjonin:

Treqind vjet udhëtova nëpër mugëtirë

Nëpër ëndrra e zhgjëndrra hije e padukshme

Për të arritur këtu ku jam sot, e s’kam qenë kurrë…, për të arritur aty ku poeti do të takojë shumë njerëz që e pritën me gëzim kthimin e tij te rrënja, që e pritën jo vetëm të gjallët, por edhe ata që kishin lënë gjurmët aty. Ndaj i gjithë udhëtimi i poetit atyre viseve, ku me këmbë të veta, ku me kalin e erërave, na vjen si një zhgjëndërr me plot mallëngjim, gëzim e ngashërim. Kthehet aty ku çdo gjë, edhe natyrën, edhe njerëzit i përjeton të vetët, të gjakut dhe të shpirtit të tij, mbase me një ndjenjë fajsie për vonesën për vizitë, por edhe me dhimbjen për mjegullën që do ta ketë shoqëruar në udhën e tij të pamarrë shumëvjeçare.

Kthimi në rrënjë, zbardhja e pengut apo e misterit të mbetur me shekuj si i tillë, ndriçimi i tij edhe për vete edhe për brezat që vijnë është një shembull si do të mund të vepronin edhe shumë familje të tjera në ndriçimin e rrugëtimit të tyre të mjegullt, si pasojë e injorancës së mbjellë me shekuj nga të huajt.

5.

Një cikël të tërë në këtë vëllim, siç e thamë, poeti ua kushton korifenjve të Mirditës, për të cilët thotë”

“Vullneti zotit këta engjëj n’Mirditë ka zbritë

T’i kem pararojë t’shelbimit t’uratës ndër vite –

Korifenjtë e Mirditës qiejt mbuluan me dritë. (f.133) dhe i rendit pastaj poezitë kushtuar më të shquarave, duke i cilësuar me fjalë të zgjedhura, si Gjon Gazulli – e para mendje e ndritur nga Mirdita; Prend Doçi, gurthemel i gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit; Preng Marka Prenga – diell e zjarr nga Oroshi; Aleksandër Moisiu – “një siluetë mirditore lëkund Evropën / Skena mban frymën pezull / As miza strukur pas perdeve s’pipëtin; Ndre Mjedja – me guhën e tokës i dashuruar i pëshpërit gurit; Lleshi i Zi, që “në qiell rri me shqipet”, Liza Vorfi, me tingujt që vijnë nga thellësitë e tokës, Robert Ndrenika, me zërin qiell i çarë e shumë e shumë të tjerë me të cilët zhvillon një kuvendim për dashurinë e përbashkët.

Paraqitja e portreteve të këtyre korifenjve bëhet me një afërsi dhe ngrohtësi të veçantë, ndonjëherë si kuvendim me ta, ndonjëherë si përshkrim i tyre, duke i spikatur vlerat që i shquajnë.

Nga të gjitha figurat e këtij nënqielli që i shquan poeti, në një cikël të veçantë i ka tri përkushtime të realizuara në kurora sonetike: për Gjergj Fishtën, për Anton Çettën dhe për Dom Anton Kqirën. Këta veçohen nga korifenjtë si personalitete që, si edhe disa të tjerë, kanë kapërcyer përmasat krahinore, duke lënë pas vetes të bëma për t’u vlerësuar dhe për të jetuar ndër breza, ndaj përkushtimet atyre janë kurora sonetike të përfshira në cikël të veçantë, një portretizim artistik i veprave dhe shpirtit të tyre.

6.

Derisa në prologun e këtij vëllimi poetik, me anë të enumeracionit, autori shpalos vendbanimet që bëjnë krahinën e Mirditës, të cilat na dalin të largëta për poetin e ambientuar në një terren tjetër, por kurrë të harruara nga ai dhe, për më tepër, të përjetuara si gjenezë e tij, në epilogun e këtij libri ai i kthehet edhe një herë vetes, këngës për veten dhe për Përkolajt. E bën këtë i çliruar nga një peng: Borxh ua kam pasur Përkolajve të mi këto këngë / Unë, domgjonasi i vonuar… duke mos ngurruar të japë edhe një vlerësim për vetveten, për rrugën e rëndë dhe të gjatë të kaluar:

Pinjoll Mirdite ndër humbëtira shkela n’shtatëdhjetat

Fjalë e varg guri në zemër,

S’më gjunjëzuan kurrë përpjetat as tatëpjetat –

Dushkaka m’u bë emër – Mirdita mbiemër.

Me të dy librat për Mirditën dhe mirditorët, Hasan Hasani – Perkola arrin të krijojë një testament edhe historik, edhe poetik për fisin, edhe më ngushtë, për gjenealogjinë e familjes së tij. Atë që nuk arrin ta shpjegojë sa duhet historia në librin publicistik-historik “Përkolajt”, të cilin ai e cilëson si një “histori të vogël migrimesh, vuajtjesh, pësimesh, sakrificash për një jetë më të mirë”, do ta bëjë më të qartë, më të gjallë dhe më të përjetuar testamenti poetik “Mirditë e mirditorë”, në të cilin, ndër të tjera, gjejmë edhe vargjet “Dushkajës i këndova me gjuhë guri n’vreshta” apo “Dushkaja ishte, është e do mbetet emri e mbiemri im!”, por edhe vargjet që shprehin preokupimin jetësor të poetit: Mirëditën në mendje, Domgjonin ëndërr vargu, / Më munguan u mungova – dashuruar së largu”. Megjithëkëtë, këtë mungesë që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, poeti arriti ta përplotësojë edhe për vete, edhe për brezat e ardhshëm, arriti në rrënjë.