Kandidatët që synojnë udhëheqjen e Podujevës kanë shpalosur programet e tyre për fushën e shëndetësisë dhe arsimit sonte në Magazina Lokale në Klan Kosova.
Kandidati i Vetëvendosjes, Ajet Potera ka thënë se subjekti i tij i ka prioritet këto dy fusha.
“Shërbime, cilësi, rend dhe rregull, Qendrat e Mjekësisë Familjare do të jenë me infrastrukturë me standarde derisa për çdo fëmijë të lindur kemi menduar ta mbështesim nënën me nga 100 euro”.
“Shkollat do të kenë kabinete dhe laboratorë, investime në pajisje shkollore për ta lehtësuar çantën si dhe do të ofrojmë shujta me kifle dhe qumësht për nxënësit dhe parashohim hapje të reja të çerdheve dhe shkollave”.
Programin e tij e ka shpalosur edhe Fatmir Humolli, kandidati i AAK-së për Podujevën.
“Menaxhimi duhet të jetë më efikas, sistemi edukativ arsimor duhet të jetë në shërbim të krijimit të besimit të qytetarëve”.
“Ne do të bëjmë përpjekje që të ndërtojmë çerdhe të fëmijëve”.
Kandidati i PDK-së, Hajredin Hyseni duke shpalosur programin e tij për arsimin, ka vënë theksin tek politizimi i arsimit.
“Sa i përket arsimit, çështja kyçe në Podujeve është depolitizimi i arsimit sepse nga 47 drejtorë dhe zëvendësdrejtorë, të gjithë i përkasin LDK-së”.
“Do të krijoj një mekanizëm të rekrutimit duke kyçur Këshillin e Prindërve dhe duke lejuar të kyçet edhe Shoqëria Civile, aq sa është e mundshme”.
“Kushtet për ambient pune në arsim dhe një çështje tjetër, në mandatin tim, në qytet do të bëjë digjitalizimin e shkollave dhe do ta heq ditarin sepse kjo do të ndikojë në cilësi”.
Të njëjtën premtim për depolitizimin e arsimit, e ka dhënë edhe kandidati i Fjalës, Xhevdet Maloku.
“Kemi paraparë depolitizimin e arsimit, kemi mësimdhënës me nga 10 orë, duke mos ju dhënë orët e plota”.
“Pa Lidhjen në Podujevë nuk mund të punësohesh, arsimtarët vrapojnë për të sjellë vota, për të treguar që janë me Lidhjen”.
Kandidati i Nismas, Xhemajl Hasani ka treguar prioritetet e tij për arsim e shëndetësi në pika kryesore.
“Sistemin e shëndetësisë primare, renovimin e Qendrave Mjekësore Familjare, rritja e kapacitetit për maternitet, avancimi i stafit”.
“Arsimi, kushtet për nxënësit me standarde evropiane, infrastrukturë përcjellëse moderne dhe ndërtimin e çerdheve”.
Kryetari aktual i Podujevës dhe kandidati i sërishëm i LDK-së për këtë qytet, Agim Veliu ka treguar se çfarë parasheh programi i tij për arsimin dhe shëndetësinë.
“Kemi nevojë për hapësira shkollore, t’i rrisim hapësirat ku ka nevojë që të arrijmë standardin, të punojmë me një ndërrim, pastaj edhe punë gjithëditore”.
“Për çështjen e shëndetësisë do të punojmë shumë në ngritjen dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore, do të bëjmë përpjekje që aparatura të përmirësohet, të ofrojmë trajnime me komunitet për shëndetësinë dhe kontrolle mjekësore në shkolla”.